Mungesa e Mojtaba Khameneit në skenën publike prej disa muajsh ka nxitur hamendësime të shumta në mediat perëndimore dhe në qarqet e inteligjencës lidhur me vendndodhjen dhe gjendjen e tij.
Të lidhura
None found
Një analizë e publikuar nga Daily Mail, që u referohet burimeve të paidentifikuara të inteligjencës dhe ish-zyrtarëve, paraqet tri teori kryesore për liderin de facto të Iranit.
Skenari i parë e vendos atë ende në Iran, ku mund të jetë strehuar në një bunker ose në një strukturë nëntokësore për arsye sigurie. Sipas kësaj teorie, ai po merr veten nga plagët e shkaktuara gjatë sulmeve të mëparshme.
Një tjetër pretendim është se Mojtaba Khamenei është larguar në mënyrë sekrete drejt Rusisë, por analiza e vlerëson këtë mundësi si pak të besueshme.
Varianti i tretë, të cilin disa nga burimet e cituara e konsiderojnë më të mundshmin, thotë se ai është gjallë, por vuan nga një gjendje e rëndë shëndetësore që e pengon të kryejë detyrën. Në këtë situatë, vendimmarrja dyshohet se po drejtohet nga krerët e Gardës Revolucionare Islamike.
Dyshimet për atë që po ndodh në udhëheqjen iraniane janë shtuar edhe për shkak të mungesës së tij në paraqitjet publike, ceremonitë zyrtare dhe mesazhet tradicionale drejtuar popullit.
Paralelisht, në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare janë përhapur zëra edhe për jetën e tij private, por këto pretendime nuk janë mbështetur nga konfirmime zyrtare.
Analiza vëren se, pavarësisht pikëpyetjeve mbi vendndodhjen e Mojtaba Khameneit, ndikimi kryesor në procesin e vendimmarrjes iraniane i atribuohet Gardës Revolucionare. Kjo strukturë konsiderohet se ka forcuar kontrollin e saj mbi institucionet kryesore shtetërore.
Autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht asnjë nga pretendimet e përfshira në analizë.
