Kremlini paralajmëron Londrën! Do të kundërpërgjigjemi nëse Ukraina përdor armët britanike

Rusia paralajmëroi Britaninë të hënën se nëse armët britanike do të përdoren nga Ukraina për të goditur territorin rus, atëherë Moska mund të godasë objektet dhe pajisjet ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe jashtë saj.

Ambasadori britanik Nigel Casey, u thirr në një notë proteste nga Ministria e Jashtme e Rusisë pasi Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha javën e kaluar se Ukraina kishte të drejtë t’i përdorte armët britanike për të goditur Rusinë.

Britania e mohoi lajmin për thirrjen e zotit Casey, duke thënë se ai kishte biseduar me zyrtarë rusë “në një takim diplomatik” në të cilin ai “përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar rus”.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se citimet e zotit Cameron e bënin të qartë se tani Britania ishte de fakto pjesë e konfliktit, duke rënë në kontradiktë me një garanci të mëparshme se, armët me rreze të gjatë të dhëna Ukrainës nuk do të përdoreshin kundër Rusisë.

“Casey u paralajmërua se në rast të përdorimit të armëve britanike nga ana e Ukrainës për të sulmuar territorin rus, çdo objekt dhe pajisje ushtarake britanike në territorin e Ukrainës dhe jashtë saj” mund të viheshin në shënjestër nga Kremlini, tha ministria e jashtme ruse.

Moska tha se i konsideron komentet e zotit Cameron si përshkallëzim serioz.

“Ambasadorit iu kërkua që të reflektonte mbi pasojat e pashmangshme katastrofike të hapave të tillë armiqësorë të Londrës, dhe të përgënjeshtronte menjëherë deklaratat agresive dhe provokuese të kreut të Ministrisë së Jashtme në mënyrën më të prerë dhe të qartë”.

Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, zoti Cameron i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukraina kishte të drejtë t’i përdorte armët e ofruara nga Britania për të goditur objektivat brenda Rusisë dhe se i takon Kievit që të marrë vendimet.

Zëdhënësi i zyrës së jashtme britanike tha të hënën se ambasadori Casey kishte ritheksuar gjithashtu “qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të Ukrainës” në takimin me zyrtarët rusë.


Shtuar 6.05.2024 21:19