John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, ka pranuar fajësinë lidhur me mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, të lidhura me shënimet që ai përdori për librin e tij autobiografik.
Ish-zyrtari, i kthyer ndërkohë në një nga zërat më kritikë ndaj Donald Trump, ishte përballur me 18 akuza për trajtim të papërshtatshëm të informacionit të klasifikuar dhe në fillim kishte mohuar fajësinë.
Të lidhura
None found
Të premten, ai ndryshoi qëndrim dhe pranoi fajin për një akuzë të vetme që lidhej me ruajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar. Mes dokumenteve kishte shënime personale që përmbanin të dhëna me ndikim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, ku disa prej tyre ishin të kategorizuara në nivelin “Top Secret”.
Prokurorët thanë se Bolton rrezikon një dënim maksimal deri në pesë vite burg, ndërsa ai ka rënë dakord gjithashtu të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh.
Përveç gjobës financiare, Bolton do të bashkëpunojë me autoritetet amerikane duke njoftuar zyrtarët e sigurisë kombëtare për materialet e klasifikuara që kishte në zotërim, si edhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet.
Në seancën gjyqësore, pasi gjyqtari renditi akuzat, mes tyre edhe pretendimet se Bolton u kishte dërguar anëtarëve të familjes së tij shënime me informacione të ndjeshme, ai pranoi se faktet e paraqitura ishin të sakta.
“Po, e bëra, i nderuar gjyqtar”, u shpreh Bolton, duke shtuar se ishte “i penduar” për atë që kishte bërë. Sipas mediave amerikane, dënimi i tij pritet të jepet më 28 tetor.
Bolton u largua nga administrata e parë e Donald Trump në vitin 2019. Një vit më pas, ai botoi librin “The Room Where It Happened”, ku përshkroi përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe e paraqiti Trumpin si një president të painformuar për çështjet e politikës së jashtme.
Në atë periudhë, Shtëpia e Bardhë paraqiti një padi për të ndaluar publikimin e librit, me arsyetimin se në të përfshiheshin informacione të klasifikuara që nuk ishin verifikuar siç duhej. Megjithatë, gjykata e rrëzoi kërkesën dhe libri doli në qarkullim.
Më vonë, Departamenti amerikan i Drejtësisë hapi hetime për të sqaruar nëse Bolton kishte zbuluar informacion të klasifikuar në libër dhe nëse kishte ndarë materiale të ndjeshme me dy të afërm të tij.
Sipas aktakuzës, në një rast një haker kishte hyrë në llogarinë elektronike të Boltonit, ku ruheshin dokumentet, dhe kishte dërguar një mesazh kërcënues ku paralajmëronte “skandalin më të madh që nga publikimi i email-eve të Hillary Clinton”.
Ekspertë ligjorë kanë vlerësuar se, edhe pse çështjet penale ndaj zyrtarëve të lartë për mënyrën si trajtojnë dokumentet e klasifikuara janë të rralla, raste të tilla kanë ekzistuar edhe më parë. Sipas tyre, pranimi i fajësisë nga Bolton lidhet edhe me përpjekjen për të shmangur nxjerrjen e mëtejshme të informacionit të ndjeshëm gjatë procesit gjyqësor.
Para se të merrte postin e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në administratën Trump, John Bolton kishte shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë presidencës së George W. Bush.
