Gjendja e ish-presidentit amerikan Joe Biden është rënduar, pasi kanceri agresiv i prostatës është përhapur edhe në zona të tjera të trupit, mes tyre kockat.
Të lidhura
None found
Detajet u konfirmuan nga djali i tij, Hunter Biden, në një intervistë të transmetuar të premten nga BBC. Ai tregoi se sëmundja ka avancuar dhe se 83-vjeçari po përjeton dhimbje të mëdha.
“Është përhapur në kocka dhe më tej. Është shumë e dhimbshme dhe, në shumë aspekte, dobësuese”, u shpreh Hunter Biden.
Joe Biden u diagnostikua në maj të vitit 2025 me një formë agresive të kancerit të prostatës. Gjatë vitit të kaluar, ai iu nënshtrua edhe një procedure për heqjen e disa dëmtimeve kanceroze në lëkurë, si dhe trajtimit me rrezatim.
Megjithë problemet shëndetësore, ish-presidenti ka vazhduar aktivitetet publike. Para pak kohësh, ai mbajti fjalimin kryesor në një event të Partisë Demokratike për mbledhjen e fondeve në Maryland.
Sipas Hunter Biden, babai i tij vijon të përballet me sëmundjen dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për aq kohë sa të jetë gjallë.
Edhe Jill Biden, bashkëshortja e ish-presidentit dhe ish-zonja e parë e SHBA-së, ka dhënë së fundmi detaje për shëndetin e tij.
Ajo ka thënë se trajtimi i Joe Biden vazhdon, ndërsa sëmundja tashmë është kthyer në pjesë të jetës së përditshme të tij.
Kanceri i prostatës shfaqet kryesisht te burrat në moshë të madhe dhe, në shumë raste, përparon ngadalë. Kur arrin në faza të avancuara, mund të përhapet në kocka dhe, sipas ekspertëve mjekësorë, atëherë nuk konsiderohet i shërueshëm.
Problemet serioze shëndetësore nuk janë të panjohura për Biden. Në vitin 1988, ai iu nënshtrua një operacioni për aneurizëm në tru, një gjendje që në atë periudhë rrezikoi edhe karrierën e tij politike.
Familja Biden ka përjetuar edhe një humbje tjetër të lidhur me kancerin. Beau Biden, djali i Joe Biden, ndërroi jetë në vitin 2015, në moshën 46-vjeçare, pasi vuante nga glioblastoma, një formë agresive e kancerit të trurit.
