Izraeli zotohet t’i përgjigjet me forcë sulmeve të Hezbollahut

Grupi Hezbollah i Libanit, i mbështetur nga Irani, tha se nisi sulme me raketa dhe dronë në disa baza dhe pozicione të ushtrisë izraelite të enjten, pasi një sulm izraelit vrau një nga komandantët e tij të lartë.

Izraeli u zotua t’i përgjigjet me forcë të gjitha sulmeve të Hezbollahut.

“Izraeli do t’i përgjigjet me forcë të gjitha agresioneve të Hezbollahut”, tha zëdhënësi i qeverisë, David Mencer gjatë një konference për media.

Ai shtoi se “qoftë përmes përpjekjeve diplomatike ose ndryshe, Izraeli do të rivendosë sigurinë në kufirin tonë verior”.

Luftëtarët e Hezbollahut filluan “një sulm me raketa dhe dronë, duke synuar gjashtë kazerma dhe vende ushtarake” ndërsa njëkohësisht fluturonin “skuadrone dronësh të ngarkuar me eksploziv” në tre baza të tjera izraelite, tha grupi në një deklaratë.

Grupi tha se sulmet ishin “pjesë e përgjigjes ndaj vrasjes” së komandantit të Hezbollahut, Taleb Abdallah të martën.

Ushtria izraelite tha se “rreth 40 predha u hodhën drejt zonës së Galilesë dhe Lartësive të Golanit”, duke shtuar se shumica u kapën ndërsa të tjerat ndezën zjarre.

Javët e fundit, shkëmbimet ndërkufitare janë përshkallëzuar – me Hezbollahun duke rritur përdorimin e dronëve për të sulmuar pozicionet ushtarake izraelite dhe Izraelin duke u kundërpërgjigjur me sulme që synojnë militantët.

Të mërkurën, zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine u zotua se grupi do të “rriste intensitetin, forcën, sasinë dhe cilësinë e sulmeve tona”, ndërsa fliste në funeralin e Abdallah.

Ushtria izraelite konfirmoi se kreu sulmin që “eliminoi” Abdallah të martën, duke e përshkruar atë si “një nga komandantët më të lartë të Hezbollahut në Libanin jugor”./rel


Shtuar 13.06.2024 16:47

Tags: