Të paktën tre persona u vranë sot në sulmet izraelite në Liban.
Dy sirianë u vranë nga një sulm izraelit në Libanin jugor, njoftoi sot pasdite Ministria e Shëndetësisë në Bejrut. Më parë kishte pasur informacion për një person të vdekur nga një “sulm me dron i armikut izraelit në fshatin Taybeh”, afër kufirit.
Forcat e Armatosura të Izraelit (IDF) njoftuan se gjatë operacionit në zonën e Taibeh, u vra Mohammed Adnan Mansour, një ” komandant i artilerisë së Hezbollahut “, i cili dyshohet se drejtoi sulme të shumta kundër Izraelit.
Dje, dy persona të tjerë u vranë nga bombardimet izraelite në Libanin jugor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Izraeli kishte njoftuar se objektivi i sulmit ishin anëtarë të Hezbollahut, të cilët “po përpiqeshin të rindërtonin infrastrukturën terroriste” të organizatës pro-iraniane. Megjithatë, ushtria libaneze siguroi se “nuk kishte material ushtarak” në zonën që u bombardua.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve të Libanit, strehimoret e parafabrikuara të përdorura nga njerëzit e zhvendosur që humbën shtëpitë e tyre gjatë luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut u vunë në shënjestër të sulmeve ajrore në zonën e Nakura.