Kur filloi operacionin e tij tokësor në Liban, Izraeli tha se qëllimi ishte të largonte grupin militant libanez Hezbollah nga kufiri, për të mundësuar më shumë se 60,000 banorë izraelit të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, që kur ushtria izraelite hyri në Liban, trupat e saj kanë bërë disa zbulime shqetësuese.
Operacioni i trupave tokësore izraelite, që filloi javën e kaluar në Libanin jugor, zbuloi dhe shkatërroi një tunel të grupit Hezbollah që kalonte në Izrael. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se grupi militant libanez po planifikonte një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit në Rripin e Gazës, që u bë shkak për fillimin e luftës një vit më parë.
“Ushtria izraelite ka gjetur brenda Libanit mijëra prova, tunele, automjete, pajisje të Hezbollahut në përgatitje për të dërguar njësitë e tij elitare, Brigadat ‘Radwan’, për të sulmuar Izraelin dhe për të masakruar izraelitët”, thotë Sarit Zehavi nga Qendra Studimore dhe Edukative ‘Alma’.
Zehavi thotë se katër njësitë e trupave tokësore izraelite po kërkojnë dhe shkatërrojnë gjithashtu rezervën e madhe të raketave me rreze të shkurtër veprimi të grupit Hezbollah. Ato, sipas saj, janë të fshehura nëpër fshatrat e Libanit jugor. Raketa të tilla mund të lëshohen nga supi i çdo luftëtari të grupit Hezbollah, dhe sistemi i mbrojtjes izraelite nuk mund t’i përgjojë ato.
Sulmi i Izraelit ndaj grupit libanez filloi muajin e kaluar me shpërthimet e biperave që vranë dhjetëra operativë të Hezbollahut dhe plagosën mijëra të tjerë.
Kjo u pasua nga sulmet ajrore në Bejrut që vranë drejtuesin e grupit, Hassan Nasrallah dhe shumicën e zyrtarëve të lartë të organizatës, një operacion që thuhet se ishte planifikuar për mbi një dekadë.
Në këto sulme u kuptua dobësia e grupit Hezbollah, sipas analistëve izraelitë.
“Thuhej se grupi Hezbollah kishte 180,000 raketa dhe se mund të lëshonte 1000 raketa çdo ditë që mund të godisnin në të gjithë territorin e Izraelit. Thuhej gjithashtu se është një organizatë shumë e fortë, por u befasua nga Izraeli”, thotë Eyal Zisser nga Universiteti i Tel Avivit.
Luftimet kanë sjellë pasoja të rënda në Liban. Qindra njerëz janë vrarë në sulmet ajrore izraelite.
Që nga fillimi i operacionit tokësor, rreth një milion libanezë janë zhvendosur.
“Unë i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë menjëherë për të garantuar tërheqjen e Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara libaneze dhe për t’i dhënë fund shkeljeve që përsëriten çdo ditë”, tha Najib Mikati, kryeministër i Libanit.
Izraeli thonë se qëllimi i operacionit ushtarak kundër grupit Hezbollah është të bëjë të mundur kthimin e më shumë se 60,000 izraelitëve të në shtëpitë e tyre, përgjatë kufirit verior.
Por disa analistë izraelitë thonë se kjo gjithashtu krijon mundësinë për të ndryshuar Libanin për të mirë.
“Kjo mund të jetë një mundësi për rimëkëmbjen e shtetit libanez, që Hezbollahu, me mbështetjen e Iranit, e ka paralizuar. Nëse Izraeli e dobëson Hezbollahun nga njëra anë, dhe të investohet në shtetin libanez nga ana tjetër, operacion mund të ketë një efekt pozitiv”, thotë Shira Efron nga Forumi Politik i Izraelit.
Mbështetja për grupin Hezbollah vjen nga mbrojtësi dhe financuesi i tij, Irani, i cili ka lëshuar mbi 500 raketa dhe dronë në dy sulme kundër Izraelit. Izraeli duket i gatshëm të hakmerret, ndoshta me sulme kundër objekteve bërthamore ose të naftës iraniane, të cilat mund të ndezin një luftë në shkallë të gjerë./ VOA