Qindra njerëz, përfshirë fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara, kanë përfunduar në rrugët e Romës pas evakuimit të qendrës sociale “Spin Time Labs”, e cila u mbyll në vijim të një zjarri të vogël.
Të lidhura
None found
Prej më shumë se një jave, banorët po qëndrojnë në tenda të ngritura përpara godinës në lagjen Esquilino, në një kohë kur Italia po përballet me temperatura të larta. Ata e përshkruajnë gjendjen si të vështirë dhe u kërkojnë institucioneve t’u sigurojnë një zgjidhje strehimi.
E krijuar në vitin 2013, “Spin Time Labs” ishte shndërruar ndër vite në një qendër komunitare që siguronte ushqim, shërbime sociale, mbështetje për migrantët, hapësira pune dhe aktivitete të posaçme për fëmijët.
Ndërhyrja e autoriteteve italiane erdhi pas zjarrit të 29 korrikut, kur godina u evakuua dhe u vendosën masa sigurie. Sipas policisë, verifikimet ishin të domosdoshme për të përcaktuar sigurinë e objektit, por banorët pretendojnë se incidenti u shfrytëzua si justifikim për largimin e tyre.
Ngjarja ka nxitur edhe përplasje në skenën politike italiane. Ekzekutivi i Giorgia Melonit ka ndjekur një linjë të ashpër ndaj godinave të zaptuara, të cilat i cilëson si çështje ligjore dhe sigurie. Në anën tjetër, përfaqësues të politikës lokale dhe organizata sociale kërkojnë që të evakuuarve t’u vihet në dispozicion një alternativë banimi.
Për momentin, Këshilli i Romës ka ofruar tenda, ushqime, ujë dhe asistencë mjekësore. Paralelisht, po vlerësohet mundësia që ndërtesa të blihet, me synimin për të ruajtur rolin e saj social.
Banorët e Spin Time e konsiderojnë qendrën një mbështetje thelbësore për qindra persona që, për shkak të pamundësive ekonomike, nuk arrijnë të përballojnë kostot e strehimit. Kërkesa e tyre është të lejohen të rikthehen në godinë ose që institucionet t’u garantojnë një zgjidhje afatgjatë.
