Ish-këshilltari i Trump dënohet me 4 muaj burg pasi pengoi hetimet e Kongresit

Një ish-këshilltar ekonomik dhe aleat i ngushtë i Donald Trump, Peter Navarro, u dënua me 4 muaj burg për pengim të Kongresit, i cili e kishte thirrur atë të dëshmonte për sulmin në Kapitol më 6 janar 2021.

Një tjetër këshilltar i ish-presidentit, Steve Bannon, u dënua për të njëjtën arsye me katër muaj burg në vitin 2022, por u apelua.

Gjyqtari Amit Mehta gjobiti edhe Peter Navarro, i cili njoftoi se synon të apelojë vendimin.

Navarro u shpall fajtor shtatorin e kaluar për refuzimin, në shkurt 2022, për t’iu përgjigjur një thirrjeje nga një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte ngjarjet e 6 janarit 2021.

Ai gjithashtu refuzoi t’i dorëzonte dokumentet atij komiteti.

Atë ditë, qindra mbështetës të Trump sulmuan Kapitolin, selinë e Kongresit, duke u përpjekur të bllokojnë ratifikimin e fitores së kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Vetë Trump akuzohet nga një gjykatë federale në Uashington dhe nga autoritetet gjyqësore të shtetit të Gjeorgjisë për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Ai pretendon se ka “imunitet absolut” sepse në atë kohë ai ishte ende president i Shteteve të Bashkuara.

Por në dhjetor, gjyqtarja federale që kryesonte gjyqin e tij në Uashington, D.C., Tanya Chatkan, hodhi poshtë një kërkesë për të shfuqizuar ndjekjen e tij.


Shtuar 25.01.2024 23:18