Një 43-vjeçar mysliman është kthyer në simbol heroizmi në Australi, pasi ndërhyri pa asnjë armë dhe neutralizoi një nga autorët e sulmit terrorist të ndodhur në Bondi Beach të Sidneit, gjatë një aktiviteti hebraik për festën e Hanukkah-ut.
Bëhet fjalë për Ahmed al Ahmed, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një dyqani frutash, i cili u filmua teksa i afrohet nga pas njërit prej sulmuesve, i merr armën nga duart dhe e hedh mënjanë, duke shmangur një masakër edhe më të madhe.
Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale dhe treguan momentin kur Ahmed rrezikon jetën e tij për të shpëtuar qytetarë të pafajshëm. Ai u qëllua dy herë gjatë ndërhyrjes dhe u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas familjarëve, Ahmed nuk ka pasur asnjëherë përvojë me armë zjarri. “Ai është një hero. Shpresojmë të jetë mirë,” është shprehur kushëriri i tij, duke shtuar se gjendja e 43-vjeçarit është e qëndrueshme.
Media australiane dhe autoritetet e larta të vendit e kanë cilësuar Ahmed al Ahmed si hero. Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, deklaroi se “ka shumë njerëz që janë gjallë sot falë guximit të tij”.
Sulmi i armatosur në Bondi Beach ishte i drejtuar ndaj komunitetit hebre dhe la pas 11 viktima dhe 29 të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie. Një nga autorët u vra, ndërsa një tjetër u arrestua i plagosur.
Përfaqësues të komunitetit mysliman në Australi dënuan ashpër sulmin dhe shprehën solidaritet me viktimat, ndërsa historia e Ahmed al Ahmed u përshëndet gjerësisht si një shembull i rrallë i guximit dhe humanizmit.


