Lëvizja islamike palestineze Hamas ka bërë të ditur se ka pranuar një propozim të ri për armëpushim, i cili është ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Uitkoff, përfaqësues i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Sipas deklaratës së Hamasit, ky plan synon arritjen e një armëpushimi të përhershëm, tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe garantimin e një akses të pakufizuar për ndihmat humanitare.
Në kuadër të marrëveshjes së propozuar, Hamasi shprehet i gatshëm të lirojë 10 pengje të gjalla dhe të dorëzojë trupat e 18 të tjerëve, në këmbim të lirimit të një numri të caktuar të të burgosurve palestinezë që ndodhen në burgjet izraelite.
“Lëvizja Islamike e Rezistencës (Hamas) paraqiti sot përgjigjen e saj ndaj propozimit të fundit të SHBA-së përmes ndërmjetësve”, thuhet në deklaratën zyrtare, duke theksuar se vendimi është marrë pas konsultimeve të gjera me palët kombëtare.
Megjithëse në deklaratë nuk përmenden ndryshime të drejtpërdrejta në përmbajtjen e propozimit, një zyrtar palestinez ka bërë me dije për agjencinë Reuters se Hamasi ka kërkuar disa modifikime, por përgjigjja mbetet pozitive në thelb.
Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu ende nuk ka reaguar zyrtarisht në lidhje me këtë zhvillim. Megjithatë, mediat izraelite kanë raportuar më herët se Netanjahu u ka komunikuar familjeve të pengjeve se Izraeli e ka pranuar planin e propozuar nga Uitkoff – një informacion që ende nuk është konfirmuar nga qeveria.
Procesi i negociatave për një armëpushim të qëndrueshëm ka ngecur prej kohësh për shkak të kërkesave diametralisht të kundërta të palëve. Izraeli kërkon çarmatimin dhe shpërbërjen e plotë të Hamasit, si dhe lirimin e të gjithë 58 pengjeve që ndodhen aktualisht në Gaza. Nga ana tjetër, Hamasi refuzon dorëzimin e armëve dhe ngul këmbë për një përfundim të qartë të luftës përmes tërheqjes së plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për rajonin, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon përpjekjet për të ndërmjetësuar një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez.