Qeveria greke po ndërhyn sërish përballë shtrenjtimit të karburanteve, me synimin për të frenuar edhe rritjen e çmimeve të ushqimeve. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis shpalli mesditën e së mërkurës një paketë të re masash, të përqendruar kryesisht te nafta për automjete dhe ajo për ngrohje.
Të lidhura
None found
Të martën, në Greqi benzina pa plumb me 95 oktanë kushtonte mesatarisht rreth 2 euro e 21 cent për litër, ndërsa nafta rreth 2 euro e 23 cent. Në disa ishuj, çmimet arrinin deri në 2.45 euro për litër.
Sipas Mitsotakis, për periudhën nga 1 deri më 15 tetor, subvencioni shtetëror për naftën e automjeteve do të rritet nga 10 në 15 cent për litër. Nëse kësaj i shtohet edhe ulja që pritet nga rafineritë, lehtësimi mund të shkojë në 20 cent për litër. Për benzinën nuk është parashikuar deri tani subvencion i drejtpërdrejtë shtetëror.
Qeveria do t’i shqyrtojë masat çdo 15 ditë, duke iu referuar luhatjeve të mëdha që, sipas saj, vijojnë në çmimet ndërkombëtare të naftës.
Një tjetër çështje është nafta për ngrohje, e cila del në shitje më 15 tetor. Synimi i qeverisë është që çmimi i saj fillestar të jetë nën 1 euro e 75 cent për litër; vitin e kaluar, çmimi mesatar ishte rreth 1.15 euro për litër. Deri më 14 tetor pritet të bëhen publike vendimet përfundimtare mbi nivelin e mbështetjes dhe subvencionet për qytetarët në nevojë.
Paketa përfshin edhe bizneset e vogla dhe të mesme. Skema për shlyerjen e borxheve të tyre të vjetra ndaj shtetit zgjerohet nga 72 në deri në 120 këste, me pagesë minimale prej 30 eurosh për këst.
Rregulla të reja vendosen edhe për kompanitë që administrojnë kreditë e këqija. Një servicer që shkel një marrëveshje të rregullt me debitorin mund të gjobitet deri në 500 mijë euro. Gjithashtu, do të kufizohen parapagimet që u kërkohen qytetarëve.
Për familjet greke, shqetësimi më i menjëhershëm mbetet kostoja e karburantit në pompë: si benzina, ashtu edhe nafta, kushtojnë mbi 2 euro për litër. Qeveria paralajmëron se masat mund të ndryshojnë përsëri, në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
