Gjermani: Vetëvendosje për gjininë, parlamenti voton ligjin që lehtëson procedurën

Në Gjermani kushdo që dëshiron të ndryshojë gjininë në dokumenta, duhet të kalojë një procedurë me shumë pengesa: Janë të nevojshme dy ekspertiza psikologjike me pyetje nga më intimet. Në fund vendos gjykata. Personat e prekur e kritikojnë këtë procedurë si të stërzgjatur, të kushtueshme dhe denigruese-

Në bazë të ligjit të ri të vetëvendosjes për gjininë këtej e tutje gratë e burrat trans si dhe njerëzit transgjinorë që nga lindja, të cilët kanë tipare femërore dhe mashkullore, mund të aplikojnë lehtësisht për ndryshimin e gjinisë në dokumenta. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit që nuk klasifikohen as meshkuj dhe as femra.

Lehtësimi i procedurës mundësohet nga ligji i ri i miratuar të premten (12.04.2024) në Bundestag me shumicë votash nga partitë e koalicionit qeverisës: socialdemokratët, të gjelbërit dhe liberal-demokratët. Ligji u mbështet edhe nga grupi i të majtëve. Partitë opozitare kristiandemokrate/kristiansociale, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) e refuzuan prerazi këtë ligj.Ligji i vitit 1980 ende sot në fuqi njihet si ligji për transgjinorët (TSG). Qofshin njerëzit burrë, grua apo ndryshe: Në të ardhmen secili vendos vetë se cilën gjini do të regjistrojë në dokumenta si dhe emrin në pasaportë.Në vend të një ekspertize të dyfishtë si deri më tani, bazuar në rregulloren e re do të mjaftojë një vetëdeklarim në gjendjen civile. Të prekurit do të duhet të mbrohen në privatësinë e tyre në rast se nuk duan ta bëjnë publike këtë ndryshim.

Ndryshimet në gjendjen civile do t’u mundësohen edhe të rinjve nga mosha 14 vjeç. Ata mund të japin vet një deklaratë, por u duhet edhe miratimi i personave që kujdesen për ta. Në rast konflikti vendos gjykata për çështjet familjare. Për fëmijët mund të aplikojnë për ndryshim gjinie vetëm prindërit apo përfaqësuesit ligjorë të tyre.

Opozita kritikon

Ligji ka boshllëqe sigurie dhe mund të shpërdorohet prej kriminelëve, kritikon grupi parlamentar kristiandemokrat/kristiansocial në Bundestag. Kjo për arsye, se nuk parashikohet deklarimi i ndryshimit të gjinisë dhe të emrit në organet e sigurisë. Po ashtu konservatorët argumentojnë, se në ligjin e ri nuk garantohet mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

I ngarkuari i qeverisë federale për pranimin e shumëllojshmërisë seksuale dhe gjinore, ekologjisti Sven Lehmann, theksoi, se ligji i ri ua lehtëson shumë procedurat personave të prekur. Lehtësimi i aplikimit për ndryshim gjinie dhe emri do „t’ua lehtësojë jetën interseksualëve dhe transseksualëve”, u shpreh ai për rrjetin redaksional Deutschland./DW


Shtuar 13.04.2024 09:00