Tani u bënë disa javë që bujqit nëpër Evropë janë duke protestuar kundër, siç thonë ata, rregulloreve mjedisore tejet kufizuese, konkurrencës nga importet e lira prej vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, si dhe kundër të hyrat të vogla.
Të dielën, bujqit polakë bllokuan një autostradë të madhe me Gjermaninë, gjatë protestës së tyre më të fundit kundër rregulloreve dhe tatimeve të Bashkimit Evropian.
“Bllokada nisi në orën 13:00. Të dyja anët e autostradës A2 janë bllokuar”, tha Eëa Murmylo, zëdhënëse e policisë lokale.
Bujqit kishin planifikuar fillimisht një bllokadë 25-ditore, por pas bisedimeve me përfaqësuesit lokalë, bizneset dhe transportuesit, vendosën për bllokadë më të shkurtër.
Ata kanë vendosur “ta zhbllokojnë rrugën mbase nesër” e hënë, tha Dariusz Ërobel, njëri nga bujqit dhe organizatorët e protestës.
“Kjo do të varet nga gjëra të cilat ne nuk mund t’i parashikojmë. Ne duhet të fillojmë të marrim veten seriozisht”, tha ai për AFP.
Të hënën, ministrat e Bujqësisë të BE-së pritet të takohen në Bruksel.
Ata pritet të bisedojnë për propozimet e reja të Komisionit Evropian për ndryshimin e rregulloreve që kanë nxitur pakënaqësi të mëdha në mesin e bujqve.
Bujqit në Poloni thonë se po e shënjestrojnë të ashtuquajturën Marrëveshje të Gjelbër të Bashkimit Evropian për energjinë, transportin dhe taksat. Kjo marrëveshje, sipas bllokut, synon të ulë emetimet e gazrave serrë. Bujqit veçmas janë goditur nga rritja e taksave dhe rregullave të tjera.
Bujqit polakë kishin protestuar edhe në kufi me Ukrainën, duke përkeqësuar raportet mes këtyre dy shteteve, pavarësisht se Varshava është një mbështetëse e madhe e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.