Partnerja e futbollistit venezuelian Héctor Bello humbi jetën gjatë tërmeteve të forta që goditën Venezuelën, teksa përpiqej të nxirrte të bijën e vogël nga rrënojat.
Përmes një postimi në Instagram, Bello tregoi se Andrea u flijua gjatë shembjes së ndërtesës për të shpëtuar fëmijën e tyre.
Të lidhura
None found
“Do t’i tregoj historinë se si e shpëtove, dashuria ime, si dhe jetën tënde për vajzën tonë, si ishe një grua e guximshme që nuk u dorëzove kurrë, edhe në momentet e fundit të jetës tënde”, shkroi futbollisti.
Sipas raportimeve, vajza e çiftit ka mbijetuar dhe ndodhet në spital bashkë me tezen e saj. Pas tragjedisë, edhe vetë futbollisti udhëtoi drejt Karakasit për të qëndruar pranë tyre.
“Vajza ime dhe tezja e saj janë mirë. Ato do të qëndrojnë në spital. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen gjatë kësaj dhimbjeje të madhe”, u shpreh ai.
Në një tjetër mesazh prekës, Bello foli për dhimbjen e humbjes së Andreas: “Si t’ia shpjegoj vajzës sime se humbe jetën për ta shpëtuar atë dhe se unë nuk isha aty për të bërë asgjë? Më jep forcë tani”.
Vdekja e Andreas u konfirmua edhe nga organizata venezueliane e futbollistëve “Cumaná de Campeones”, e cila bëri të ditur se ajo u gjet nën rrënoja pas shembjes së godinës ku jetonte familja.
Tërmetet pranë kryeqytetit Karakas kanë lënë pas shumë viktima dhe mijëra të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar dhe persona të zhdukur.
Mes viktimave të kësaj tragjedie janë edhe dy futbollistë të rinj. Klubi i Futbollit të Karakasit njoftoi se lojtari i ekipit U-18, Razan Sijaa, humbi jetën bashkë me familjarët e tij në La Guaira.
Po ashtu, u konfirmua i vdekur edhe Victor Palacios, futbollist i akademisë së Club Sport San Agustín. Federata e Futbollit të Venezuelës shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Ndërkohë, ish-Miss Venezuela, Giselle Reyes, bëri të ditur se edhe nëna e saj humbi jetën pas shembjes së plotë të ndërtesës ku jetonte në La Guaira. Sipas saj, e ëma pësoi një atak kardiak si pasojë e tronditjes dhe efekteve të tërmeteve.
Autoritetet venezueliane po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa bilanci i viktimave pritet të ndryshojë teksa identifikohen personat e humbur.
