Fotografi të realizuara nga ushtarë amerikanë dhe të publikuara nga CBS News tregojnë përmasat e dëmeve të shkaktuara nga sulmet iraniane në bazat e SHBA-së në Lindjen e Mesme. Në shënjestër kanë mbetur avionë, ndërtesa dhe pjesë të infrastrukturës ushtarake.
Të lidhura
None found
Materialet fotografike janë siguruar nga pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane, të cilët kanë kërkuar të mos identifikohen. Pamjet dokumentojnë dëme në një bazë në Arabinë Saudite dhe në dy instalacione të tjera ushtarake në Kuvajt, ku shihen një avion i dëmtuar, tenda të shqyera dhe kasolle të shkatërruara.

“Ky është dëm serioz në bazat tona, për të cilin publiku amerikan nuk është informuar”, deklaroi një prej burimeve për CBS News.
I njëjti burim shtoi: “Ne po qëndrojmë atje, me sytë mbyllur, duke u goditur në fytyrë”.

Pasojat e sulmeve janë pasqyruar edhe në një raport të publikuar të hënën nga Inspektori i Përgjithshëm i Pentagonit. Dokumenti citon të dhënat e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sipas së cilave objektet amerikane kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga sulmet iraniane.
Sipas raportit, në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani janë dëmtuar ose shkatërruar qindra ndërtesa dhe objekte infrastrukturore.

Raporti bën të ditur gjithashtu se dhjetëra avionë amerikanë janë dëmtuar ose shkatërruar.
Dokumenti i Pentagonit vlerëson se deri në fund të qershorit lufta në Iran i kishte kushtuar Uashingtonit rreth 33.4 miliardë dollarë. Në këtë shumë nuk janë përfshirë shpenzimet për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar në bazat amerikane.
