Foli kundër mafies, priftit italian i vunë zbardhues në kupën e verës

Një famullitar në jug të Italisë po bëhej gati të pinte një gllënjkë nga kupa e verës, kur kuptoi se ishte e mbushur me zbardhues në atë që besohet të ishte një kërcënim i lidhur me mafien italiane, shkruan The Guardian.

At Felice Palamara sapo kishte shenjtëruar kupën e ujit dhe verës përpara se të kremtonte eukaristinë gjatë meshës së mbrëmjes të shtunën në kishën San Nicola di Pannaconi në Cessaniti, një qytet i vogël në rajonin e Kalabrisë, dhe ndërsa po përgatitej të pinte prej saj, vuri re një erë të çuditshme.

Ceremonia u ndërpre kurse testet laboratorike të bëra më vonë konfirmuan se përzierja përmbante zbardhues, duke nxitur autoritetet e sigurisë të fillojnë hetimet.

Palamara, i cili shpesh ka folur kundër Ndrangheta-s, organizatës mafioze që e ka origjinën në Kalabri, u tha mediave lokale se kishte marrë disa kërcënime me vdekje gjatë kohës që ishte në kishë.

Makina e tij është vandalizuar dy herë në muajt e fundit.

Prifti, i cili ngado shoqërohet nga policia, ka shkruar në rrjetet sociale se: “hakmarrja e tij quhet dashuri dhe se mburoja e tij është falja”.

Ai është zotuar se nuk do të ndalet para pengesave dhe se nuk do të trembet nga errësira, duke u zotuar të vazhdojë punën e tij.


Shtuar 27.02.2024 12:46