Mbi 150 persona janë ndaluar të hënën në Turqi, pasi forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë një tubim të zhvilluar pranë gjykatës së Çağlayan në Stamboll. Protesta ishte organizuar kundër arrestimeve të fundit të disa anëtarëve të komunitetit LGBTQ+.
Të lidhura
None found
Operacioni i autoriteteve turke ndaj komunitetit LGBTQ+ është shtrirë në disa provinca dhe ka përfshirë bastisje të zyrave të organizatave, bllokim të faqeve online dhe ndalimin e personave të dyshuar.
Sipas dëshmive të publikuara nga Reuters dhe Agence France-Presse, protestuesit synonin të flisnin për mediat jashtë gjykatës, por u penguan nga policia. Ata kishin me vete një banderolë ku shkruhej “Të jesh LGBTQ+ dhe të organizohesh nuk është krim”, ndërsa thërrisnin slogane, mes tyre “Rroftë jeta, kundër urrejtjes”. Pak më pas, policia ndërhyri për të shpërndarë tubimin.
Fushata “Familja ime është e sigurt” është kuadri në të cilin po zhvillohet ky operacion. Qeveria turke thotë se nisma ka si qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe vlerave familjare.
Shqetësimin për zhvillimet e fundit e ka shprehur edhe Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, i cili kritikoi arrestimet, kontrollet dhe kufizimet në internet ndaj organizatave LGBTQI+ dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

O’Flaherty theksoi se përmendja e “vlerave familjare” ose e “mbrojtjes së fëmijëve” nuk përbën, në vetvete, arsye të mjaftueshme për kufizimin e të drejtave të njeriut. Ai kërkoi gjithashtu lirimin e individëve të ndaluar për shkak të veprimtarisë së tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut ose të shoqërisë civile.
Një ditë më herët, shqetësim për arrestimet dhe procedurat gjyqësore ndaj aktivistëve LGBTI+ në Turqi shprehu edhe Bashkimi Evropian.
Në provincën e Izmirit, një gjykatë urdhëroi paraburgimin e 16 personave si pjesë e të njëjtit operacion. Ministri i Drejtësisë, Akin Gürlek, deklaroi se hetimet e koordinuara nga prokuroritë në Stamboll, Ankara, Izmir, Ajdin dhe Mersin përfshijnë 162 të dyshuar, nëntë shoqata dhe 13 biznese në 15 provinca.

Gjatë fundjavës, autoritetet kishin arrestuar të paktën 26 persona në Stamboll dhe 21 të tjerë në Ankara, ndërsa bastisën edhe zyrat e organizatave LGBTQ+.
Përveç ndalimeve dhe kontrolleve, autoritetet turke kanë kufizuar hyrjen në faqet e internetit dhe llogaritë në rrjetet sociale të disa organizatave LGBTQ+, individëve dhe mediave të pavarura. Mes tyre është edhe llogaria në X e Amnesty International Turkey.

Operacioni është kundërshtuar nga partia pro-kurde DEM, e cila e ka dënuar goditjen ndaj komunitetit LGBTQ+.
Masat ndaj këtij komuniteti janë ndërmarrë në një periudhë kur Presidenti Rexhep Tajip Erdogan po promovon fushatën “Dekada e Familjes dhe Popullsisë”. Nisma synon të trajtojë rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë.
Edhe pse homoseksualiteti nuk është vepër penale në Turqi, organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar prej vitesh diskriminimin dhe trysninë ndaj komunitetit LGBTQ+. Rexhep Tajip Erdogan ka bërë në mënyrë të përsëritur deklarata kundër personave LGBTQ+ dhe i ka lidhur ata me rënien e nivelit të lindjeve.
