Avionë luftarakë amerikanë F-16 ndërhynë pasi dy avionë civilë depërtuan në një zonë të përkohshme me fluturime të ndaluara pranë fushës së golfit dhe klubit privat të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Bedminster të New Jersey-t.
Komanda e Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD) bëri të ditur se F-16 u ngritën për të kapur avionët civilë dhe më pas i shoqëruan jashtë hapësirës ku zbatohej ndalim-fluturimi.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua jo shumë larg klubit presidencial, ku Trump po qëndronte gjatë fundjavës, sipas raportimeve të Fox News dhe New York Post.
Ushtria amerikane nuk njoftoi numrin e avionëve luftarakë të përfshirë në ndërhyrje. Gjithashtu, nuk u publikuan hollësi të tjera për avionin e aviacionit të përgjithshëm që kishte shkelur kufizimet e përkohshme ajrore.
Për arsye sigurie, krijimi i zonave ku fluturimet ndalohen mbi ose në afërsi të vendeve ku qëndron presidenti amerikan është një procedurë e zakonshme. Incidente të këtij lloji ndodhin herë pas here dhe zakonisht përfshijnë avionë të vegjël, drejtuesit e të cilëve mund të mos kenë dijeni për kufizimet në fuqi.
NORAD u bëri thirrje pilotëve të verifikojnë njoftimet zyrtare për aviatorët (NOTAM) dhe të njihen me përmbajtjen e tyre, pasi aty përcaktohen rregullat dhe kufizimet e përkohshme të fluturimit.
