Një plan për ndryshimin e sistemit të pensioneve në Gjermani ka hapur diskutime të shumta politike dhe shoqërore. Forcat e qendrës e konsiderojnë atë një kompromis të pranueshëm, ndërsa partitë opozitare kanë shprehur kundërshti.
Paketa me 30 propozime për reformën e pensioneve, e hartuar nga një komision i posaçëm me ekspertë dhe politikanë, është mirëpritur nga grupet konservatore, por ka hasur rezistencë nga opozita dhe sindikatat.
Të lidhura
None found
Reagimet nisën që përpara publikimit zyrtar të raportit të plotë të komisionit me 13 anëtarë. Pikat kryesore të tij dolën paraprakisht këtë fundjavë në mediat gjermane, duke shkaktuar një valë komentesh. Sipas burimeve qeveritare në Berlin, pritet që qeveria të miratojë së shpejti një plan të mbështetur mbi këto reforma.
Në një aktivitet të ditës së hapur të qeverisë federale në Berlin, kancelari Friedrich Merz deklaroi para publikut se këto reforma përbëjnë të vetmen rrugë për ta mbajtur të përballueshëm në të ardhmen sistemin e kushtueshëm të pensioneve në Gjermani.
Propozimet kryesore për reformën e pensioneve
Masat e paraqitura, të cilat u bënë publike më herët nga sa ishte parashikuar në fillim, pjesërisht për shkak të presionit mbi qeverinë, përfshijnë një kombinim kompromisesh dhe disa ide të pritshme prej kohësh.
Mosha ligjore e pensionit lidhet me jetëgjatësinë
Sipas propozimit, mosha ligjore e daljes në pension në Gjermani do të përcaktohet në varësi të jetëgjatësisë. Llogaritjet e komisionit tregojnë se kjo moshë do të arrijë 67.5 vjeç në vitin 2041, 68 vjeç në vitin 2051 dhe deri në vitin 2091 do të shkojë madje në 70 vjeç.
Kjo pikë ka sjellë kritika nga e majta. Philipp Türmer, drejtuesi i Jusos, organizatës rinore të Partisë Socialdemokrate (SPD), u shpreh për radion gjermane DLF se do të ishte më e drejtë që mosha e pensionit të lidhej me numrin e viteve të kontributeve të derdhura në sistem.
Eksperti i pensioneve pranë kompanisë së këshillimit financiar Finanztip, Jan Scharpenberg, tha se kjo qasje ka logjikë, edhe pse me parashikimet aktuale për jetëgjatësinë nuk do të sillte ndryshime të mëdha në periudhë afatshkurtër.
Jo dalje në pension të parakohshëm në moshën 63 vjeç
Një tjetër propozim parashikon heqjen e mundësisë për të dalë në pension në moshën 63 vjeç pa humbje përfitimesh, edhe për ata që kanë kontribuar për 45 vjet në arkat e pensioneve. Kjo ide është kundërshtuar sidomos nga sindikatat, të cilat argumentojnë se punonjësit e industrisë janë më të ekspozuar ndaj lodhjes fizike dhe psikologjike. Kryetarja e sindikatës IG Metall, Christiane Benner, deklaroi për radion DLF se ky propozim “injoron plotësisht” kushtet e jetës dhe punës së punëtorëve në sektorët industrialë.
Jan Scharpenberg e përshkroi masën si një “goditje e hidhur” për disa kategori. “Ndoshta është e nevojshme, por është padyshim një masë e ashpër,” tha ai. Gjithashtu, parashikohet që të rritet edhe ulja e përfitimeve për ata që zgjedhin pensionin e parakohshëm.
Kjo lëvizje pritet të prekë një numër të madh punëtorësh në Gjermani. Një sondazh i fundit i institutit Forsa, i kryer për entin e sigurimit shëndetësor publik DAK, tregoi se 44% e gjermanëve do të dëshironin të dilnin në pension të parakohshëm. Sipas të dhënave, sa më gjatë që punojnë njerëzit, aq më shumë rritet mundësia që ata të marrin pushim mjekësor.
Më shumë kontribuues, më pak nëpunës civilë
Një pjesë tjetër e planit synon ndryshime në sistem përmes kufizimit të numrit të personave që marrin statusin e nëpunësit civil, pasi në Gjermani ata kontribuojnë në një skemë të veçantë shtetërore pensioni. Ministrja e Punës Bas ka kërkuar heqjen e plotë të këtij sistemi, duke propozuar që nëpunësit civilë të paguajnë në të njëjtën skemë si të gjithë të tjerët.
Si rrugë kompromisi, komisioni ka propozuar që niveli i pensioneve të nëpunësve civilë të harmonizohet me sistemin e përgjithshëm të pensioneve. Televizioni publik ZDF raportoi gjithashtu se komisioni synon të reduktojë numrin e personave që mund të bëhen nëpunës civilë, duke qenë se në disa lande gjermane edhe mësuesit mund ta kenë këtë status. /dw
