Ç’po ndodh me kompanitë e mëdha të teknologjisë, Amazon gati të pushojë 10 mijë punonjës

Amazon ka vendosur të shkurtojë 10,000 vende pune, ose 3% të stafit duke filluar nga kjo javë, sipas raportimeve.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Amazon kishte rreth 1,608,000 punonjës me kohë të plotë dhe part-time. Kompania teknologjike kishte vendosur tashmë një ngrirje të punësimit pasi paralajmëroi se kishte mbi-punësuar staf gjatë pandemisë COVID-19.

Shkurtimet e raportuara do të përfaqësojnë rreth 3 për qind të stafit të korporatës së Amazon dhe më pak se 1 për qind të fuqisë punëtore të saj globale.

Miliarderi Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, ka paralajmëruar se ai beson se SHBA ose është në një recesion ose po shkon drejt një recesioni dhe se njerëzit dhe korporatat duhet të “shtrëngojnë kapakët”.

BBC shkruan se këtë javë u raportua se kompania po planifikon të shkurtojë 10,000 vende pune, ose rreth 3% të stafit saj.

Mijëra të tjerë po lënë vendin e punës pasi në industrinë e teknologjisë shitjet po bëhen gjithnjë e më pak, mes shqetësimeve në rritje për një rënie ekonomike.

Një punonjëse, e cila tha se punonte si inxhiniere e zhvillimit të softuerit në SHBA, postoi në rrjetet sociale se po kërkonte një punë të re.

“Kam një kohë të kufizuar për të kërkuar mundësi të reja pune”- shkroi ajo.

Një tjetër punonjës i Amazon, i cili tha se ata ishin ndikuar nga pushimet nga puna, tha: “Sigurisht që jam i trishtuar, por optimist për të ardhmen, sepse e di se kjo do të thotë ndryshim i mirë për mua dhe të tjerët në ekipin tim.”

Kompania ndaloi së punësuar njerëz të rinj dhe ndaloi disa nga zgjerimet e magazinës së saj, duke paralajmëruar se kishte punësuar tepër gjatë pandemisë.

Çmimi i aksioneve të Amazon ka rënë me më shumë se 40% këtë vit, pasi ajo përballet me një ngadalësim të shitjeve në internet.

Edhe kompanitë e tjera të mëdha të teknologjisë kanë njoftuar tashmë pushime të mëdha nga puna pasi kanë ulur kostot.

Javën e kaluar Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi se do të shkurtonte 13% të fuqisë së saj punëtore.


Shtuar 16.11.2022 14:04