Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, i cili qëndron për vizitë në Ankara, ka zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me homologun e tij turk, Hakan Fidan, për procesin e stabilizimit të Sirisë dhe për të luftuar terrorizmin, raporton Anadolu.
Duke folur për media me ministrin turk, sekretari amerikan tha se SHBA-ja u jep përparësi mundësive të popullit sirian, si dhe çlirimit të këtij populli nga prangat e Bashar Asadit.
“Siç tha ministri (i jashtëm turk), ne jemi shumë të fokusuar në Siri, shumë të fokusuar në mundësinë që tani është para nesh dhe para popullit sirian, për t’i çliruar nga prangat e Bashar Asadit drejt një të ardhme ndryshe dhe më të mirë për popullin sirian, një për të cilën do të vendosë vetë populli sirian”, tha Blinken.
Ai gjithashtu e falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për “mirëkuptimin dhe bujarinë në ndarjen e kohës gjatë takimit të mbrëmshëm”.
Sekretari amerikan mbërriti në Ankara gjatë ditës së djeshme kur edhe u takua me presidentin Erdoğan. Para mbërritjes në Türkiye, ai ishte për vizitë në Jordani.
Në vitet e fundit, marrëdhëniet midis Tükriyes dhe SHBA-së janë tensionuar si pasojë e politikës së SHBA-së ndaj Sirisë.
Türkiye kundërshton mbështetjen e SHBA-së për YPG-në për shkak të lidhjes së saj me PKK-në, e cila ka zhvilluar një fushatë terroriste kundër Türkiyes për më shumë se 40 vite, duke rezultuar në vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
SHBA-ja në luftën kundër DEASH-it në Siri e konsideron partner kyç YPG-në, përkatësisht të njohur edhe si SDF. Washingtoni nuk e njeh YPG-në si një grup terrorist, edhe pse PKK-në e njeh si të tillë.