Biden: Izraeli të pezullojë operacionet në Gaza gjatë Ramazanit

Presidenti amerikan Joe Biden tha të hënën mbrëma se Izraeli do të pezullojë “operacionet” e tij ushtarake kundër Hamasit në Rripin e Gazës gjatë muajit të Ramazanit, si pjesë e një marrëveshjeje që po negociohet për të shpallur një armëpushim të dytë.

“Ramazani po vjen dhe ka një marrëveshje nga izraelitët që ata nuk do të angazhohen në operacione gjatë Ramazanit për të na dhënë kohë për të marrë të gjithë pengjet” , vuri në dukje Biden gjatë një intervistë që ka dhënë për rrjetin televiziv NBC.

Katari, Egjipti, SHBA, Franca dhe vende të tjera kanë negociuar një armëpushim të ri javët e fundit, pas atij për të cilin palët ranë dakord në fund të nëntorit.

“Shpresoj që deri të hënën e ardhshme, ne do të kemi një armëpushim ,” tha presidenti amerikan para shtypit mbrëmë në Nju Jork.

“Këshilltari im për sigurinë kombëtare (Sr. Jake Sullivan) më thotë se jemi afër, por nuk kemi mbaruar ende ,” shpjegoi ai.

“Tendenca është pozitive,” tha një zyrtar izraelit për faqen e lajmeve Ynet, në kushte anonimiteti .

Sipas një burimi të AFP-së në lëvizjen islamike palestineze, po diskutohet një armëpushim gjashtë-javor, një shkëmbim pengjesh izraelitë për të burgosur palestinezë në Izrael dhe mbërritja e më shumë ndihmave humanitare në enklavë.

Në intervistën e tij për NBC, Joe Biden vlerësoi se kjo marrëveshje do të “na japë kohë që të fillojmë të ecim në drejtimin që disa vende arabe janë gati të marrin” , pra normalizimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin.

“Unë mendoj se nëse mund ta sigurojmë këtë armëpushim të përkohshëm, do të jemi në gjendje të lëvizim në një drejtim që do të na lejojë të ndryshojmë dinamikën,” shtoi ai.

Izraeli “u zotua” të largonte shpejt civilët nga Rafah, përpara se të fillonte operacionet për “eliminimin e pjesës tjetër të Hamasit”, vuri në dukje presidenti amerikan.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “e vetmja mënyrë që Izraeli të mbijetojë” është arritja e një marrëveshjeje që do të garantojë “paqe dhe siguri për izraelitët dhe palestinezët”./albeu.com


Shtuar 27.02.2024 09:54