Një person ka vdekur, ndërsa 10 të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet përplasi qëllimisht një grup këmbësorësh pranë një bari në Caen, në perëndim të Francës, të mërkurën në mbrëmje.
Përplasja ndodhi rreth orës 22:15, në një rrugë publike përballë stacionit të trenit. Pas goditjes së këmbësorëve, drejtuesi i automjetit u largua nga vendi i ngjarjes.
Të lidhura
None found
Prefekti i Calvados, David Clavier, bëri të ditur se bilanci përfundimtar ishte një i vdekur, shtatë persona në gjendje kritike dhe tre të tjerë të plagosur rëndë.
Një burim policor i cituar nga AFP tha se ngjarja pasoi një grindje. Shoferi u arrestua më vonë në Ouistreham, rreth 20 kilometra larg Caen.
I dyshuari është 26 vjeç dhe ka lindur në Rusi. Sipas prefektit Clavier, ai nuk ishte i evidentuar nga shërbimet e inteligjencës dhe më parë kishte tërhequr vëmendjen e policisë vetëm për shkelje të kodit rrugor.
Hetuesit kanë nisur punën për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit, ndërsa në kuadër të hetimit po shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
