Arrestohen dy bashkëpunëtorë në vrasjen e Dankës, trupi i 2-vjeçares ende nuk është gjetur

Autoritetet në Serbi njoftuan sot se kanë arrestuar dy bashkëpunëtorë, për rastin e vrasjes së 2-vjeçares në Serbi.

Vogëlushja u përplas nga një automjet ku ndodheshin dy persona, të cilët pas aksidentit e fshehën trupin e saj.

Danka Ilic ishte zhdukur më 26 mars nga qyteti lindor i Borit dhe fytyra e saj ishte bërë kryefjalë për 10 ditë kur autoritetet njoftuan dy arrestimet e para të mërkurën.

Ministria e Brendshme serbe shpjegoi në atë kohë se, bazuar në provat fillestare, vogëlushja ishte goditur nga makina disa minuta pasi i kishte shpëtuar vëmendjes së prindërve.

Sipas ministrisë, drejtuesi dhe pasagjeri i mjetit më pas e kanë fshehur trupin e saj.

Ministria tha sot se dy personat e arrestuar janë bashkëpunëtorët e autorëve të dyshuar, të cilët i ndihmuan ta zhvendosnin trupin nga zona ku e kishin fshehur fillimisht, në një vend tjetër.

Gjithçka ndodhi më 28 mars. Policia është ende në kërkim të trupit të fëmijës, pasi të dyshuarit nuk kanë treguar se ku e kanë fshehur.


Shtuar 6.04.2024 15:48