Analistët: Veprimet e Qeverisë rrezikojnë të ardhmen e Malit të Zi

Analistët vlerësojnë se qeveria aktuale në Malin e Zi, me disa veprime, politikisht po ofrohet me politikën zyrtare të Beogradit dhe Moskës. Ata thone se konfrontimi i fshehtë dhe i qetë fillimisht po bëhet me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin. Këtë, sipas tyre, e dëshmon edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac në parlamentin e Malit të Zi, iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Analistet theksojnë se koncepti aktual i një pjese të shumicës qeverisëse në Malin e Zi, e cila është politikisht e afërt me Beogradin dhe Moskën zyrtare, është në konfrontimin gradual dhe të qetë fillimisht me fqinjët e saj e më pas me Perëndimin.

Këtë e dëshmon sipas tyre edhe miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac, në parlamentin e Malit të Zi, e iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse. Analisti i njohur Xhevdet Pepiq këtë veprim e sheh si një mënyrë për t’i ikur problemeve të shumta aktuale të shoqërisë duke iu kthyer të së kaluarën.

“Përmes rezolutës për Jasenovacin tentohet të merremi me të kaluarën. Jemi një shoqëri ku më së shumti ngatërrohemi me të vdekurit se sa me të gjallët. Kroacia e sotme nuk ka lidhje me atë ngjarje tragjike, por më lehtë është të akuzosh tjetrin për krime të luftës”, thotë Pepiq.

Edhe analisti dhe publicisti Gjokë Dukaj shpreh qëndrimin e ngjashëm se me aktualizimin e së kaluarës nuk mund të ecet përpara drejt integrimit evropian të Malit të Zi.

“Miratimi i rezolutës për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac ka shkaktuar një tronditje të thellë brenda spektrit politik këtu në Malin e Zi. Është interesante se strukturat politike të cilat merren kryesisht me të kaluarën insistojnë gjithnjë në aktualizimin e shumë çështjeve nga e kaluara edhe pse të vetëdijshëm se me qëndrime të tilla nuk mund të ecet përpara,” tha zoti Dukaj.

Analisti Dukaj thotë se këto veprime të shumicës parlamentare bëhen me qëllim që Malit të Zi të ngecë në rrugën e integrimeve evropiane . Zoti Pepiq, vë në dukje, se me këtë rezolutë bëhet instrumentalizimi i viktimave për qëllime politike.

“Ne po merremi më shumë me rezoluta se sa me çështjet jetike për shoqërinë tonë dhe me të ardhmen. Duke u marrë me të kaluarën po instrumentalizohen të vdekurit për qëllime politike duke sjellë përçarje të reja në rajon”, thotë analisti Pepiq.

Analistët vlerësojnë se shumica qeverisëse po i dëmton interesat kombëtare të Malit të Zi ku ndër të tjera, mund të ndalojë rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Ata vlerësojnë se rezoluta është një mashtrim, për faktin se askush nuk e konteston gjenocidin në Jasenovac.

Jasenovac përkujtohet si një kamp përqendrimi i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Kroacisë. Në Jasenovac u vranë dhe u dhunuan me dhjetëra mijëra vetë, shumica e cilëve ishin serbë, romë dhe hebrenj./ VOA


Shtuar 7.07.2024 19:51