Një gjykatë në Shën Petersburg ka shqiptuar 14 vjet burgim për fizikanin rus, Anatoly Maslov, pasi ai u gjet fajtor për akuzën për tradhti. Paraprakisht, prokurorët kishin kërkuar që shkencori rus të dënohej me 17-vjet burgim. Maslov, 77-vjeç, është ekspert në fushën e gazrave të lëngshme dhe profesor në Departamentin e Aerohidrodinamikës në Universitetin Teknik të Novosibirskut. Ai ishte arrestuar më 2022 nën dyshimet se kishte kaluar informacione të klasifikuar te një shtet i huaj.
Maslov ka mohuar akuzat. Ai është në mesin e tre shkencëtarve nga i njëjti institut, që të tre specialistë të hipersonikës, që janë arrestuar më 2022 nën akuza për tradhti. Dy shkencëtarët e tjerë, Alexander Shiplyuk dhe Valery Zvegintsev, ende po presin gjykimin. Këta tre shkencëtarë kanë kryer punë teorike për zhvillimin e raketave hipersonike, që janë armë të avancuara, të afta të fluturojnë 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe të shmangin sistemet e mbrojtjes ajrore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka thënë se Rusia është lidere në botë sa i përket këtyre armëve, të cilat ka pranuar se i ka përdorur në luftën kundër Ukrainës. Të paktën 12 shkencëtarë janë arrestuar në Rusi nën akuzat për tradhti që nga viti 2018. Shumica e tyre janë arrestuar për aktivitete që konsiderohen pjesë normale e punës shkencore, sikurse është publikimi në revista ndërkombëtare, bashkëpunimi me kolegët nga vendet e tjera dhe për shkak të pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare./ REL