Vetëm pak orë pas shpalljes së një armëpushimi të ri mes Izraelit dhe Hezbollahut, sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit kanë lënë të paktën 23 të vdekur.
Autoritetet vendore thanë se 16 prej viktimave u regjistruan në distriktin Nabatieh, ndërsa shtatë të tjera në zonën fqinje të Saidas. Po ashtu, dhjetëra persona raportohen të plagosur. Sipas mediave shtetërore libaneze, në mesin e të vrarëve ishte edhe një familje me katër anëtarë në qytetin Barish: dy prindërit dhe dy fëmijët e tyre.
Të lidhura
None found
Ushtria izraelite bëri të ditur se ka goditur “dhjetëra objektiva të Hezbollahut” në jug të Libanit, duke e paraqitur këtë operacion si reagim ndaj më shumë se 50 raketave dhe predhave që, sipas saj, grupi shiit kishte lëshuar kundër forcave izraelite në atë zonë.
Në krahun tjetër, Hezbollahu e ka hedhur poshtë armëpushimin e shpallur nga zyrtarët amerikanë. Një përfaqësues i grupit u shpreh se organizata nuk e pranon këtë marrëveshje dhe kundërshton çdo veprim ushtarak izraelit brenda territorit libanez.
Zyrtari i lartë i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, tha se grupi gëzon të drejtën për t’iu përgjigjur sulmeve izraelite. Ai kërkoi që Izraeli ta zbatojë plotësisht armëpushimin dhe të mos nisë sulme të tjera, si edhe të mos e zgjerojë praninë e tij ushtarake në jug të Libanit.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për vijimin e operacioneve ushtarake në Liban, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mund të vërë në rrezik marrëveshjen e paqes të arritur së fundmi me Iranin. Sipas raportimeve, i dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të zhvillojë bisedime në Zvicër me zyrtarë iranianë për të forcuar këtë marrëveshje.
Përplasjet në terren po vijojnë pavarësisht armëpushimit të shpallur. Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se vetëm të premten nga sulmet izraelite u vranë 47 persona dhe u plagosën 97 të tjerë, ndërsa ushtria izraelite raportoi humbjen e jetës së katër ushtarëve të saj.
Pasojat humanitare të konfliktit mbeten të rënda në jug të Libanit, ku qindra mijëra njerëz vazhdojnë të jenë të zhvendosur dhe shumë komunitete janë shkatërruar nga luftimet e muajve të fundit.
