100 goditje kamzhiku për tradhti bashkëshortore, gruas i bien të fikët pas rrahjes (FOTO LAJM)

Në pamje shihen momentet e tmerrshme kur një grua humbet ndjenjat pasi ishte goditur rreth 100 herë me kamzhik, në dënimin publik për seks jashtë-martesor, sipas ligjit Sharia në Indonezi.

Gruaja, emri i të cilës nuk është publikuar, bashkë me të dashurin e saj, morën secili dënimin prej 100 goditjesh publike kamxhiku dje në qytetin Lokseumawe.

Qyteti gjendet në perëndim të provincës Aceh, që është rajoni i vetëm i vendit me autonomi për të zbatuar ligjet e tij sipas kodit musliman Sharia.

Anëtarë të publikut ishin mbledhur për të parë gruan teksa merrte dënimin e saj nga zyrtarët e agjencisë publike muslimane të rendit Wilayatul Hisbah.

Në pamjet e publikuara gruaja me veshje të bardha e shami koke, shihet që gjunjëzohet në mes të skenës së ngritur teksa zyrtarët e godasin dhe publiku filmon me celularët e tyre.

Në goditjet publike dy të akuzuar të tjerë u dënuan për konsum alkooli dhe një për dhënien e një dhome me qera një çifti te pamartuar, shkruan DailyMail.

Drejtuesi policor vendas Zulkifli tha: “Gruaja duhet të lëvizej më pas nga vendndodhja pasi humbi ndjenjat nga goditjet. Por më pas ajo u përmend përsëri”.

Provinca konservatore përdor dënimin me goditje kamzhiku për një seri shkeljesh si konsumi i pijeve alkoolike, marrëdhëniet seksuale jashtë martese, apo ato homoseksuale.

Në vitin 2018, zyrtarët në Aceh kishin premtuar të ndalonin goditjet publike të kamzhikut për t’i kryer brenda mureve të burgjeve, por masa ende nuk është zbatuar.


Shtuar 2.07.2021 10:46