Procesi për përgatitjen e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+ ka vijuar me konsultime të reja nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka mbajtur një tryezë diskutimi me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë.
Të lidhura
None found
Në qendër të takimit ishin prioritetet që duhet të përcaktohen në nivel strategjik, si edhe roli i universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë në hartimin dhe zbatimin e politikave të reja në arsim.
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, deklaroi se Strategjia do të hartohet në bashkëpunim me institucionet arsimore, komunat dhe partnerët, me synimin që zbatimi i saj të jetë sa më i suksesshëm.
Sekretarja e Përgjithshme e MASh-it, Fadile Dyla, çmoi angazhimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe nënvizoi se përfshirja e tyre është e rëndësishme si në planifikim, ashtu edhe në realizimin e objektivave të Strategjisë.
Taulant Hoxha, koordinatori i procesit për hartimin e Strategjisë, bëri të ditur se dokumenti do të përgatitet përmes konsultimeve të hapura dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë akterët relevantë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë paraqitën propozime dhe rekomandime për avancimin e mëtejshëm të këtij niveli të arsimit. Ata shprehën gatishmëri për të dhënë kontribut në hartimin e politikave që synojnë cilësi më të lartë, inovacion dhe zhvillim afatgjatë të sistemit arsimor në Kosovë.
