Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë ka caktuar 2 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, pavarësisht se politikanët kanë dështuar që të pajtohen për reformën zgjedhore dhe për buxhetin e vitit 2022, që do të duhet të financojë mbajtjen e zgjedhjeve.
Komisioni tha më 4 maj se gjashtë nga shtatë anëtarët e tij kanë votuar në favor të caktimit të 2 tetorit për mbajtjen e zgjedhjeve, ku do të zgjidhen anëtarët kroatë, serbë dhe bosnjakë të presidencës trepalëshe, deputetët e parlamentit në Federatën Boshnjako-kroate, ata në entitetin e Republikës Srpska si dhe liderët e dhjetë kantoneve.
Nacionalistët kroatë kanë kërkuar reforma në ligjin zgjedhor, me qëllim që të rrisin përfaqësimin e tyre, pasi për vite me radhë janë ankuar se ata nuk kanë entitetin e tyre brenda shtetit.
Anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës është zgjedhur në dy palë zgjedhjet e kaluara në bazë të votave të shumicës boshnjake, pa mbështetjen e partisë më të madhe etnike kroate, Bashkimit Demokratik të Bosnjës, ose liderit të saj, Dragan Çoviq.
Boshnjakët iu kanë rezituar thirrjeve për formimin e një qarkut me shumicë kroate, duke shtyrë Çoviqin dhe partinë e tij që të ndërpresë bashkëpunimin me homologët e tyre boshnjakë në shumë forume.
Në muajt e fundit është rritur frika se Bosnja mund të shpërbëhet, shtet ky që qeveriset në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit të arritur më 1995, që e ndan shtetin në Federatën Boshnjake dhe Kroate dhe në entitetin me shumicë serbe.
Serbët e Bosnjës kanë kërcënuar me ndarje, ndërkaq kroatët kanë thënë se do të bojkotojnë zgjedhjet nëse nuk realizohet reforma zgjedhore, e cila adreson ankesat e tyre.