“Bordet po zbrazin xhepat e qytetarëve”, Berisha: Në 3 muaj iu grabiti 340 mln euro

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ish kryeministri, Sali Berisha është shprehur se bordet pasurojnë qeveritarët dhe klientelën e tyre, por se zbrazin xhepat e qytetarëve të thjeshtë.

Berisha ka ngritur shqetësimin në lidhje me çmimet nga bordet e të cilat i ka konsideruar shushunja, ndërsa ka akuzuar ekzekutivin se po e bën të papërballueshëm jetesën për qytetarët.

“Edi Rama tha: Bordet janë komuniste por janë të dobishme! Kjo sepse: Ato mbushin valixhet e qeveritarëve dhe klientëles së tyre!

Ato zbrazin xhepat e qytetarëve!

 

 

Në tre muaj qeveria ka grabitur nga xhepat e qytetarëve nëpermjët rritjes së çmimeve me bordet shushunja 340 milionë euro.

Miq, këto ditë bordi komunist i Edi Ramës i rritjes së çmimit të ushqimeve ka vendosur çmimet e reja më të larta për produktet ushqimore bazë (miellin, orizin, vajin dhe sheqerin).

Bordet e hajdutit Rama janë betuar që të zhvasin çdo familje shqiptare, duke e ngritur çmimin e miellit nga 79 lekë/kg në 90 lekë/kg. Këta nuk kanë të ndalur e nuk ngopen me pak.

Qeveria po luan me bukën e gojës së qytetarëve shqiptarë, duke ia bërë të papërballueshme jetesën. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët e saj, e përpos kësaj, ka zgjedhur t’i zhvasë çdo qindarkë.

Bordet nuk janë gjë tjetër veçse mendësia komuniste e Edi Ramës për të zbrazur xhepat dhe vjedhur qytetaret dhe pasur nën kontroll te plote ushqimin e tyre si kushte kryesor për të kontrolluar të gjithë shoqërinë”, ka shkruar Berisha./albeu.com


Shtuar 14.06.2022 16:57