Bllokohen dy turistë francezë në kanionin e Langaricës në Përmet

Dy turistë francezë kanë mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës në Përmet. Të huajt kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale. Efektivët janë nisur për ndihmë në drejtim të turistëve. Nuk dihet nëse ndonjë prej tyre është dëmtuar dhe se sa orë kanë që qëndrojnë të bllokuar.

Ata kanë qenë duke eksploruar zonën dhe në momentin që është rritur niveli i ujit në lum, kanë mbetur të bllokuar. Turistët nuk kanë ditur si të dalin që aty dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë.

Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e “Vjosa Explorer”, i kanë nxjerrë 2 turistët dhe shtetasin e moshuar nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftim policie

Punonjësit e Policisë, të përkushtuar dhe të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për t’u ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve.

Më datë 11.08.2022, rreth orës 16:15, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se dy turistë francezë, duke eksploruar me këmbë zonën e quajtur “Kanioni i Langaricës”, në Përmet, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e subjektit privat “Vjosa Explorer”, kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në Kanionin e Langaricës.

Gjatë kërkimit për 2 turistët francezë, i është dhënë ndihmë dhe një shtetasi të moshuar, i cili gjithashtu kishte mbetur i bllokuar në këtë zonë.

Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e “Vjosa Explorer”, i kanë nxjerrë 2 turistët dhe shtetasin e moshuar nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

DVP Gjirokastër falënderon subjektin privat “Vjosa Explorer”, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar për ndërhyrjen në zonën ku kishin mbetur të bllokuar turistët e huaj, si dhe fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.