Pasditen e sotme po zhvillohet një protestë në Laprakë në lagjen “Ish-kombinati “Josif Pashko” ku dhjetra qytetarë po organizojnë një protestë kundër bllokimit të rrugës kryesore nga ARRSH.
Sipas qytetarëve rruga e bllokuar është e vetmja lidhje me pjesën tjetër të qytetit dhe shprehen se tashmë nuk kanë mundësi për të çuar fëmijët në shkollë ose të sëmurët në spital.
Sipas tyre autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë asnjë njoftim se sa do të zgjasë bllokimi i rrugës dhe për çfarë arsyeje.
“Ça leje të marr, na kan blloku rrugën. Nuk na kanë njoftuar, ka dy javë rruga e bllokuar. Ku të kalojmë? I biem rreth e rrotull të dalim në Laprakë. Ne do ta zhbllokojmë vetë rrugën, çfarë të them unë”, tha një qytetar për mediat.
Banorët e mbledhur në protestë në zonën e Laprakës te lagjia ish-Kombinati “Josif Pashko”, kanë bërë zhbllokimin e rrugës që lidh banesat e tyre me pjesën tjetër të kryeqytetit.