Blinken i bën thirrje Izraelit të punojë me palestinezët për rrugën drejt një shteti

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Izraelit që të ndërmarrë hapa më të mëdhenj për të mbrojtur civilët, për të lejuar dërgimin e më shumë ndihme në Gazë dhe të punojë me udhëheqësit e moderuar palestinezë. Ai gjatë vizitës në Izrael më 9 janar tha se shtetet rajonale do të investojnë në rindërtimin e Gazës vetëm nëse do të ketë “një rrugë që do të çojë drejt një shteti palestinez”.

Ai tha se ishte “i qartë” se palestinezët duhet t’iu mundësohet të kthehen në shtëpitë e tyre “sapo të krijohen kushtet”, duke shtuar se SHBA-ja refuzon çdo propozim që parasheh vendosjen e tyre jashtë territorit të Gazës, një gjë të cilën anëtarët e krahut të djathtë të koalicionit qeverisës në Izrael kanë kërkuar.

Përderisa Blinken vizitoi Izraelin, ushtria e këtij shteti vazhdoi me ofensivën e saj në Gazë, përfshirë edhe kryerjen e bombardimeve të ashpra në territorin me 2.3 milionë banorë.

Lufta u nxit pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Blinken tha se ka marrë premtim nga katër shtetet arabe dhe Turqia që do të ndihmojnë në rindërtimin e Gazës pas luftës. Por, këto shtete dëshirojnë që luftimet të ndalen në Gazë dhe të ndërmerren hapa konkretë për krijimin eventual të një shteti palestinez, diçka që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se nuk do të lejojë që të ndodhë.

“Izraeli duhet të ndalet së ndërmarri hapa që minojnë aftësinë e palestinezëve që të qeverisin me veten në mënyrë efektive”, tha Blinken gjatë një konference për media të martën, pasi u takua me liderët izraelitë.

“Izraeli duhet të jetë një partner i udhëheqësve palestinezë, të cilët kanë vullnet të udhëheqin popullin e tyre dhe të jetojnë krah për krah në paqe me Izraelin”, shtoi ai.

Sipas kryediplomatit amerikan, dhuna e kolonëve, zgjerimi i vendbanimeve, shembjet e shtëpive dhe dëbimet e palestinezëve nga shtëpitë e tyre “e bëjnë më të vështirë, jo më lehtë, për Izraelin që të arrijë paqe të qëndrueshme dhe siguri”.

Pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, Izraeli u kundërpërgjigj me sulme tokësore, ajrore dhe detare në Gazë duke vrarë mbi 23.000 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.


Shtuar 9.01.2024 22:05