Biznesmeni Armand Lilo dha 1 mln euro, SPAK i liroi pasuritë të blera dhe porositura nga Oltion Bistri dhe familjarët e tij

Lirimi dhe nxjerrja jashtë listës së sekuestrimit nga prokuroria e Posaçme (SPAK), të 5 pronave të paluajtshme që ndodhen në Tiranë, i ka dhënë mundësinë kompanisë “Arlis Ndërtim” që kontrollohet nga Armand Lilo, të rivendosë plotësisht të drejtat e pronësisë mbi dy dyqane dhe tre apartamente, të cilat tashmë janë hequr nga administrimi shtetëror dhe vendosur në menaxhim nga biznesmeni Armand Lilo.

Për lirimin e 5 pasurive të paluajtshme, mendohet se është lidhur një “marrëveshje” mes biznesmenit Armand Lilo dhe vetë prokurorëve të SPAK, Altin Dumani dhe Arben Kraja, që hetojnë dosjen e hetimit pasuror Nr.6 (Metamorfoza), ku i pandehur është marrë Oltian Bistri dhe persona të tjerë.

Dyshimet e arsyeshme për një “marrëveshje” të tillë, vijnë pasi SPAK-u, ka pranuar të lirojë 5 pasuritë e sekuestruara për llogari të hetimit pasuror të nisur kundër Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij.

Ndërsa nga ana tjetër në këmbim të lirimit të 5 pronave, Armand Lilo, ka pranuar që nga llogaritë e biznesit të tij “Arlis Ndërtim”, të depozitojë për interes të SPAK-ut, shumën prej 1 milion e 300 euro.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se kjo shumë financiare aktualisht është vënë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara pranë Ministrisë së Brendshme.

Ndërsa e njëjta Agjenci, me urdhër të SPAK ka hequr nga administrimi dhe menaxhimi financiar 5 pasuritë të paluajtshme, të cilat ishin bllokuar qysh në 3 Maj 2024 me kërkesë të SPAK-ut dhe vendim të gjyqtares Irena Gjoka.

Administrimi nga agjencia i 1 milion e 300 euro dhe nga ana tjetër marrja e pronësisë së 5 pasurive nga ana e Armand Lilos, i ka ndezur dritën jeshile këtij të fundit, për t’i shitur me çmim më të lartë nga sa i kishte blerë Olti Bistrit apo dhënë me qira këto prona që ndodhen në qendër të Tiranës.

Kjo pasi gjyqtarja Irena Gjoka, në datën 9 Tetor 2024, ka vendosur të pranojë kërkesën depozituar në gjykatë nga administratorja e “Arlis Ndërtim”, Klaisa Çela, duke urdhëruar:

1. Lirimin e një apartamenti 400 m2 që ndodhet tek “Farmacia 10” Tiranë të porositur nga D.Bistri;

2. Lirimin e një apartamenti 95 m2 të blerë në kompleksin “Square 21” nga N.Bistri;

3. Lirimin e një apartamenti 100.6 m2 në zonën e “Farmacia 10” të blerë nga Oltian Bistri;

4. Lirimin e një apartamenti 400 m2 që ndodhet tek “Farmacia 10” të blerë nga E. Bistri.

5. Si dhe lirimin e një dyqani me sipërfaqe 125 m2 të blerë nga E. Bistri, i cili ndodhet në kompleksin “Square 21” të ndërtuar nga kompania “Arlis Ndërtim”.

Në pikën 3 të vendimit, gjyqtarja Irena Gjoka urdhëron kalimin e shumës prej 1 milion e 300 euro, (e cila është paguar në disa këste të ndryshme për blerjen e pasurive) për llogari të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme.

Ky vendim sot e kësaj dite nuk është Apeluar nga dy prokurorët e SPAK, duke marrë formë të prerë.

Të gjitha pasuritë e mësipërme ishin porositur për t’u blerë në periudha të ndryshme nga nëna, babai dhe vëllai i Drejtorit të Operacionales pranë Policisë së Shtetit, Oltian Bistri, i cili tashmë ndodhet në burg.

Nga 3 Maji 2024 e deri në 9 Tetor 2024, për 5 muaj me radhë këto 5 pasuri tashmë të liruara, me kërkesë të SPAK-ut u vendosën nën sekuestro dhe më pas në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara pranë Ministrisë së Brendshme.

Por para se te hidhte hapin për sekuestrimin e pasurive, gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se SPAK ka nisur një hetim pasuror kundër Oltian Bistrit dhe familjarëve të tij, duke u bazuar në ligjin “Antimafia”.

Fillimisht indicia për çeljen e këtij hetimi ka qenë hyrja e një noteri në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku qëndronte i izoluar në muajin gusht 2023, shefi i Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri.

Futja e noterit ka ngjallur dyshime të forta për prokurorët e SPAK, Dumani-Kraja, që hetonin veprimtarinë kriminale të personave të arrestuar në dosjen “Metamorfoza”.

Në datën 3 gusht 2023, ky noter ka takuar pikërisht Oltian Bistrin, i cili ishte personi thirrës, duke bërë më pas redaktimin e një prokure të përgjithshme noteriale, nëpërmjet së cilës i arrestuari Oltian Bistri, i ka dhënë tagra për të vepruar mbi pasuritë bashkëshortes së tij, D. Bistri.

Kjo e fundit është autorizuar nga bashkëshorti i saj që ta përfaqësojë në pjesën takuese të pasurive që ai disponon, t’i shesë apo dhurojë plotësisht ose pjesërisht me të gjitha format e tjetërsimit.

Konkretisht, vetëm dy javë më pas në datën 21 gusht 2023, nga bashkëshortja, babai, mamaja dhe vëllai i ish-shefit të Operacionales Oltian Bistri, janë revokuar 5 akte noteriale për blerjen e pasurive të paluajtshme të lloji apartamente dhe dyqane tek shoqëria “Arlis Ndërtim”, e cila është në pronësi të Armand Lilos.

Këto pasuri që është revokuar kontrata noteriale duke hequr dorë nga blerja, rezulton të jetë paguar nga këta persona në total një shumë financiare prej 1 milion 300 euro.

Ndërkohë sipas prokurorëve revokimi i kontratave ka treguar frikën që ka pasur personi nën hetim, Oltian Bistri, se këto pasuri mund t’i sekuestrohen, duke qenë se ai është një person që ka njohuri të mjaftueshme për dispozitat ligjore pasi ka ushtruar detyrën në funksione të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Nisur nga këto veprime të kryera përmes revokimit të kontratave noteriale, SPAK ka vendosur të hapë një hetim pasuror për ish-shefin e Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltian Bistri.

Në muajin Maj të këtij viti, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka sekuestruar pasuritë e Oltion Bistrit dhe familjarëve të tij. Por problemi lindi tek bllokimi i 5 pasurive që ishin blerë tek kompania “Arlis ndërtim” e Armand Lilos.

Për 5 muaj me radhë këto pasuri qëndruan të bllokuara në hipotekë duke mos i dhënë mundësi shitje Lilos, edhe pse ky i fundit pretendonte se Olti Bistri dhe familjarët e tij, kishin revokuar kontratat e blerjes duke hequr përfundimisht dorë nga këto pasuri.

Pas shumë pretendimesh dhe negociatash, administratorja e “Arlis Ndërtim”, Klaisa Çela, i është drejtuar gjykatës së Posaçme duke kërkuar revokimin e pjesshëm të vendimit Nr.19 të marë në 3 Maj 2024 nga Irena Gjoka, duke parashtruar se kjo gjyqtare duhet të lironte 5 pasuritë që SPAK i kishte bllokuar.

Me këtë kërkesë të “Arlis Ndërtim”, për revokim pjesërisht të vendimit duket se ka qënë dakord dhe vetë prokuroria SPAK, e cila pas pranimit të kërkesës nga ana e gjykatës, nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit duke pranuar si të drejtë këtë vendim.

“Arlis Ndërtim” mori nga SPAK 5 pasuritë e sekuestruara, ndërsa SPAK mori nga kompania “Arlis Ndërtim” 1 milion e 300 euro, shumë kjo që besohet se është paguar nga Olti Bistri dhe familjarët e tij gjatë kohës së porositjes së 5 pronave.


Shtuar 13.11.2024 10:51