Pasi bisedimet e paqes të mbajtura në Turqi ndërmjet ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë nuk arritën të sjellin ndonjë ndryshim, ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu thotë se bisedimet megjithatë ishin “një fillim i rëndësishëm”.
Sipas kanalit turk të lajmeve Haberturk, Çavuşoğlu tha se “nuk duhen pritur mrekulli në një takim”.
Diskutimet e sotme ishin kontakti i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt.
“Me gjithë vështirësitë, mund të them se u zhvillua një takim i civilizuar”, tha Cavusoglu. “Ne theksuam se korridoret humanitare duhet të mbahen të hapura pa hasur në asnjë pengesë.”
Turqia është përpjekur të mbajë një pozicion neutral në konflikt pasi ka lidhje strategjike me Ukrainën dhe Rusinë. Zyrtarët kanë kritikuar ashpër pushtimin e Rusisë, por kanë hedhur poshtë vendosjen e sanksioneve.