Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Në njoftim thuhet se dy udhëheqësit dënuan sërish përpjekjet për aneksimin e territorit të Ukrainës nga Rusia, si dhe shprehën përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për ta mbajtur Moskën përgjegjëse, për ato që i quajtën veprime brutale të saj.
Po kështu Biden-Scholz shprehën angazhimin e vendeve të tyre për t’i ofruar siguri e ndihmë ekonomike Ukrainës. Udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në tregjet globale të energjisë dhe rëndësinë e sigurimit të furnizimeve me energji të qëndrueshme e me çmim të përballueshëm.
Temë e diskutimit mes presidentit Biden dhe kancelarit gjerman Scholz ishte dhe Ballkani Perëndimor. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se udhëheqësit e dy vendeve folën mbi përpjekjet për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqënien në Ballkanin Perëndimor./VOA/