“Besoj fort te Ballkani i Hapur”, Rama: Si do të hyjë Kosova në NATO kur ka akoma shtete që s’e njohin?

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me homologun spanjoll, Pedro Sanchez, i cili ndodhet në Tiranë, i ka mëshuar nismës “Ballkani i Hapur.”

Ai e fton Kosovën t’i bashkohet pasi vetëm nëpërmjet dialogut mund të binden vendet që nuk e njohin si shtet të pavarur, në mënyrë që të he në NATO.

“Rusia ka një potencial ndikimi deri në një përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të jemi shumë të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqen. Kjo është jo një arsye për të kaluar në prehrin joshës por fatal të nacionalizmave dhe të qëndrimeve luftë nxitëse, por është një arsye më shumë për të insistuar te mekanizmat e ndërtimit të paqes.

Ata që nuk duan paqe dhe dialog me Serbinë, duan që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. Pyetja e thjeshtë është si do bëhet anëtare e NATO-s? Spanja është në NATO, Rumania, Sllovakia. Si mund ta bindim Spanjën dhe këto vende të tjera që të pranojnë të fusin në NATO një vend që nuk e njohin përveçse njohja të vijë përmes shtyrjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. A e dini Rusia deri dje ishte në partneritetin për Paqe të NATO-s, Serbia është në partneritetin për paqe të NATO-s. A e kuptoni që Kosovën nuk e fusim dot as në Partneritetin për Paqe. Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur, te fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze dhe kur janë komplet në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë”, tha Rama.

Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se nuk është Spanja ajo që pengon liberalizimin e vizave, pos një shtet tjetër që e njeh Kosovën ka dhënë veto për vizat.

“Nëse fqinjët që kemi nuk i zgjedhim, Perëndimin e kemi dëshiruar 500 vjet. Që nga koha e Skënderbeut. Të flasim ne për standardet të dyfishta të perëndimit pa bërë detyrat tona, duke harruar që po mos ishte perëndimi Kosova nuk do ishte jo shtet i pavarur por as krahinë me autonominë e zgjeruar. Pa perëndimin ne nuk kemi të ardhme. Mos harrojmë kurrë që e kemi me një kalim rrugën, nuk e kemi me dy kalime. Jemi me perëndimin dhe pikë. Për liberalizimin e vizave të Kosovë nuk është Spanja por është një vend tjetër që e njeh Kosave dhe ka dhënë veto. Kjo sa është e padrejtë aq edhe kundërshtohet prej nesh me fakte me vepra. Kosova të kërkojë dialog me Beogradin. Pa dialog e ardhmja nuk është aq e ndritur sa mund të ishte. Si do ndryshojë Spanja mendim? Duhet dialog dhe arritja e zgjedhjes me armiqtë. Të bëhet paqe me armiqtë”, deklaroi Rama.


Shtuar 1.08.2022 11:33