Besart Xhaferri: LaCivita në krye të fushatës, ka kontakt të përditshëm me liderët e PD, do të vijë sërish në Shqipëri

Këtë të enjte, gjatë një interviste për News24, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka deklaruar se fushata e opozitës po udhëhiqet nga një strategji serioze, e ndërtuar me ndikimin e theksuar të Chris LaCivita, ish-strategu i fitores së presidentit amerikan, Donald Trump.

Xhaferri u shpreh se përpjekja e mazhorancës për të krijuar idenë e një humbjeje të garantuar për PD-në, është “arma e fundit e pushtetit”, ndërsa theksoi se programi i PD-së është hartuar në bashkëpunim me dy nga fondacionet më të njohura në botë: Heritage Foundation dhe Konrad Adenauer Stiftung.

“Qëllimi ynë është rikthimi i popullsisë së larguar. Me ritmet e tanishme, Banka Botërore parashikon që Shqipëria do të ketë vetëm 800 mijë banorë në vitin 2050. Ne do të bëjmë çdo sakrificë për të joshur shqiptarët që të rikthehen”, – deklaroi Xhaferri.

Gjithashtu, ai shtoi se Chris LaCivita, është në kontakt të përditshëm me PD-në dhe drejton ekipin e strategjisë së fushatës.

“Kemi pesë persona që drejtojnë komponentë kyç si strategjia, imazhi, programi dhe ‘war room’ gjatë fushatës. Edhe pse fizikisht nuk është gjithmonë këtu, në kohën e teknologjisë nuk ka rëndësi vendndodhja – ai është gjithmonë prezent”.


Shtuar 24.04.2025 15:04