Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq deklaroi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës është kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve. Ajo tha se Asociacioni nuk duhet të jetë “siç e mendojnë disa” si organizatë joqeveritare.
Duke përmendur barrikadat në veri të vendit, për të cilat dyshohet se u ngritën nga njerëz me të kaluar kriminale dhe të armatosur, Bërnabiq tha se ishte periudha më e vështirë që u kalua “falë presidentit serb Aleksandër Vuçiq”.
“Do të thosha që dhjetori i vitit të kaluar ishte një nga momentet më të vështira për ne, muaji më të vështirë që nga viti 2008 dhe një falënderim i madh nga unë si kryetare e Qeverisë dhe e gjithë qeverisë së Republikës së Serbisë, për presidentin Aleksandër Vuçiq”, tha Bërnabiq.
Pasi iu rikthye Asociacionit të komunave më shumicë serbe, Bërnabiq u shpreh se formimi i këtij mekanizmi është shumë i rëndësishëm për të vijuar bisedimet.
“Atje nuk ka asnjë interes apo dëshirë që të formohet Asociacioni i komunave serbe, por për mua kjo tregon se nuk ka dëshirë të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar, marrëveshjet që janë nënshkruar para 10 vitesh, pra ky është kushti i të gjitha kushteve për bisedime të mëtutjeshme, një Asociacion i komunave serbe dhe jo siç e imagjinoj si ndonjë organizatë joqeveritare, qoftë nga Serbia nga territori i Kosovës apo nga edhe jashtë, dhe jo si e imagjinon ndonjë politikan, por një Asociacion i komunave serbe në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, ekipet menaxhuese, përgjegjësitë që janë të përcaktuara qartë dhe saktë, kështu që Asociacioni i komunave serbe është dhe duhet të jetë kusht i të gjitha kushteve për të gjitha diskutimet e mëtutjeshme dhe për çdo dialog të mëtejshëm, sepse në prill do të bëhen 10 vjet që kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit si marrëveshja e parë e normalizimit”, deklaroi Bërnabiq.
Gjatë ditës së premte, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Asociacioni i komunave serbë është fillimi i “Republikës serbe” në Kosovë. Ai u shpreh se “si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë prandaj jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e don Serbia”./KP/