Berisha takim me reporterët e KiE: Shqipëria, rasti klasik ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim

Ish-kryeministri ka takuar reporterët e Këshillit të Europës.

Berisha shkruan se u ka shprehur atyre se Shqipëria gjendet në mesin e një krize që ka të bëjë me “marrdhënien speciale” mes krimit dhe votës nën qeverisjen e Edi Ramës, ku metastazat e krimit kanë pushtuar çdo nivel të pushtetit.

Postimi i Berishës:

Te dashur miq, mbrëmë prita në takim delegacionin e raporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të përbërë nga Asim Mollazada, Jonut Stroe, Bas Klein dhe Giulia Re, shefe e zyrës së KiE në Shqipëri.

Duke i falenderuar për viziten e tyre, u shpreha se Shqipëria gjendet në mesin e një krize që ka të bëjë me “marrdhënien speciale” mes krimit dhe votës nën qeverisjen e Edi Ramës, ku metastazat e krimit kanë pushtuar çdo nivel të pushtetit. Duke i informuar raporterët për zgjedhjet e fundit, i bëra me dije se Shqiperia është rasti klasik ku krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim, zgjidhja e kësaj marrdhënieje krim-zgjedhje është një nga pikat ku KiE duhet të japë kontribut.

I njoha përfaqësuesit e Këshillit të Europës me industrinë qeveritare të blerjes së votës dhe makinerinë shtetërore të terrorit elektoral ndaj zgjedhësve dhe angazhimin e krimit të organizuar kundër votës së lirë.

Çeshtje e dytë ku kërkova ndihmën e KiE është edhe sistemi i drejtësisë, i cili është i paralizuar.

Shqiptarët kanë humbur të drejtën themelore të një procesi ligjor të drejtë.

Stoku i dosjeve në të gjitha nivelet arrin në mbi 120 mijë dhe duhen rreth 30 vite për t’u shqyrtuar.

Ata që e ngritën këtë sistem të dështuar nuk ndërhyjnë dot më për ta riparuar sepse janë ‘aksionerë në dështim’.

U kërkova dërgatës së KiE që të ndërmjetësojnë për një ndërhyrje të Komisionit të Venecias për një rishikim të reformës së drejtësi në Shqipëri. Kjo reformë ka qenë politikisht e motivuar.

Në zgjedhjet e 14 majit administrata u kthye në ‘polici politike elektorale’ dhe qeveria krijoi 1.3 milion votues nomadë duke u ndërruar në momentin e fundit qendrën e votimit. Qeveria bëri përpjekje për të shkatërruar opozitën dhe emëruar një opozitë sipas orekseve të saj.

Thelbi i demokracisë është mundësia që u jep qytetarëve që çdo katër vjet të mund të ndërrojnë qeverinë. Ky shans u është hequr shqiptarëve sepse qeveria e mban pushtetin me ndihmëne krimit të organizuar.

Tentakulat e kësaj lidhjeje u panë në miliona faqet e mesazheve të dekrpituara të platformave Encrochat dhe Sky. Shqipja ishte gjuha e dytë në Europë në databazën e madhe kriminale që zbuluan policitë e vendeve partnere.

Në këto transkripte janë të gjitha lidhjet me krimin e organizuar të politikës në nivelet më të larta, ministra, kryeministri, gjykatës, prokuror, drejtora policie, ndaj publikimi i tyre do ishte ndihmë dhe transparencë e madhe për shqiptarët.


Shtuar 27.09.2023 11:44