Berisha: Shqipëria është kthyer në një vend që rrit fëmijë për emigracion

Ish-kryeministri Sali Berisha, në bashkëbisedimin e tij me përfaqësues të diasporës, hodhi akuza ndaj qeverisë së Ramës duke theksuar se vitet e fundit kombi ynë është kthyer në atë që rrit fëmijët për emigracion.

“Pas zgjedhjes së Presidentit pak javë më parë PS ka rikthyer në Shqipëri monizmin e plotë. Para zgjedhjes së Presidentit unë do përpiqem t’ju paraqes ju një grafik nëse teknologjia e bën të mundur të arrij tek ju.

Ky grafik tregon se nga viti 2013, ku një mazhorancë kishte gjithsej 48% të pushtetit në Shqipëri, në vitin 2020 mazhoranca arrin të ketë 91% të pushtetit në Shqipëri.

Të ketë më shumë seç kishte Partia e Punës në Shqipëri më 1991. Pas zgjedhjes së presidentit kjo shkon në 99.9%. Së dyti në vitin 1991 kur Shqipëria hapi kufijtë, shqiptarët u dyndën nga deti, toka ajri, për të shpëtuar nga dhimbjet e tiranisë së mjerimit që trashëguan jashtë vendit të tyre. Nga viti 2007 deri në vitin 2014 pati lëvizje të popullatës, por popullata rritej çdo vit pa një politikë specifike demografike.

Kurse pas viti 2014 pothuajse u rishfaqën eksodat e shqiptarëve. Por kësaj here për fatin më të keq të vendit, shtresa e mesme më së shumti. Viti që kaloi në rrafshin demografik është një kthesë dramatike. Për herë të parë vendi pati 3300 lindje më pak sesa vdekje. Kombi sot është shndërruar në një komb që rrit fëmijë për emigracion. Në një kohë kur ju e dini mirë potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër me resurset e saj. Së treti nuk dua t’u bëj një analizë të hollësishme por do ndalem vetëm në diskursin e këtyre javëve në Shqipëri.

Cili është ky diskurs?

Legalizimi i drogës dhe amnistia fiskale për paratë e drogës. Unë e di se edhe në vende të tjera ka debat për legalizimin e drogës dhe ndofta edhe votojnë por nga eksperienca shqiptare u them ju me bindjen më të plotë, së pari droga është krim, krim dhe vetëm krim. Cilido vend që legalizon drogën nuk bën gjë tjetër veçse legalizon në mënyrë apo tjetër krimin që sjell ajo.

Në Shqipëri, kanabisi që u mboll në vitin 2015 masivisht krijoi miliarda euro dhe bëri që trafikantët shqiptarë të pushtojnë me ato para tregun e kokainës në Amerikën Latine dhe Shqipëria të bëhet jo vetëm prodhues i kanabisit në kontinent por edhe një hap drejt kokainës dhe drogave të tjera. Ka prej jush që jeni mjek dhe unë kam qenë mjek, por në të gjitha ato çka kam lexuar nuk ka një studim përfundimtar për efektet e dobishme, përveç qetësimit të dhimbjeve.

“Sot shqiptarët blejnë vezën, qumështin, djathin , vajin më shtrenjtë se mesatarja e BE. Nafta është dy herë më shtrenjtë se në SHBA. Për të gjitha këto kemi thirrur protestë më datën 7 dhe jemi të vendosur që të përdorim protestën si kusht për të çmontuar këtë regjim që ka uzurpuar të gjitha pushtetet. PS përjashtoi këtë vit votën e lirë brenda saj. Kryetarët e degëve nuk votohen më nga anëtarësia, por nga Kryesia dhe Rama njësoj si dikur nga Byroja politike dhe Enver Hoxha. Unë vlerësoj angazhimin e diasporës dhe emigracionit. Duhet të braktisim idenë ç’më duhet mua. Duhet të marrin pjesë në betejë për të rikthyer votën e lirë në shoqërinë shqiptare”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 2.07.2022 21:00