Berisha: Rama bëri shpërndarje publike parash në fushatë, duan të bindin shqiptarët se fajin e kam unë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sërish problemet në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke thënë se u ndanë zarfe për të blerë votën.

Ai tha se kryeministri Edi Rama kaloi në shpërndarje publike parash gjatë fushatës dhe përmendi edhe ish-deputetin Tom Doshi.

Për këtë të fundit Berisha tha se është Edi Rama, partia e të cilit u rrit me 220%.

“Për grupin parlamentar të PD-së, për deputetët e opozitës, çështja e parë ose kryeçështja e këtij sesioni duhet të jetë farsa elektorale maj 2023.

Kjo farsë elektorale ishte një proces, një etapë e re në procesin e shkatërrimit të kombit shqiptar.

Asnjë komb, historia ka faktuar se nuk zhvillohet pa liritë, të drejtat e tij themelore.

Në këtë kontekst, target ose objektiv kryesor për realizimin e këtij qëllimi është dhunimi i votës së lirë.

Ky dhunim është seria, por ky dhunim siç faktuan këto zgjedhje, njohu përmasa më të mëdha se kurrë ndonjëherë.

Në këto zgjedhje, si në asnjë palë zgjedhje të tjera në 32 vite, Kodi Zgjedhor, Kushtetuta e të drejtës zgjedhore, u shpall në krye të radhës kinezëri nga njeriu që do udhëhiqte operacionin e narkoshtetit dhe të karteleve të drogës kundër procesit të zgjedhjeve të lira për popullin e vet.

Por, jo më pak kriminal është dhe post 14 maji. Për herë të parë, ju mund të riktheni në memorie studio dhe debate televizive ku, njerëz me sy të mendjes së verbuar, bënin çdo gjë që të fshihnin, të maskonin blerjen masive të votës për herë të parë haptas, publikisht me vendime qeverie si kurrë ndonjëherë tjetër.

Propaganda qeveritare ia doli. Imagjinoni tani, në një anë 670 mijë zarfe me 50 mijë lekë secili, në xhepin e 670 mijë votuesve. Rritja e rrogave për 310 mijë punonjës, të gjithë këta së bashku të marrë, bëjnë 980 mijë zgjedhës të trajtuar në këtë mënyrë.

Në anën tjetër, fajin e ka Sali Berisha. Po ka njerëz më pa dinjitet se sa këta? Ka mercenarë më të shpifur, pseudointelektualë më mjeranë se këta? Të cilët, për definicion duhet të mbrojnë në një mënyrë ose tjetër, interesin publik.

Unë u ndala në këtë aspekt se ky ishte publik, këto zarfa ishin publike, nuk ishin të fshehta. Edi Rama për herë të parë kaloi në shpërndarje publike parash në fushatë.

Por për aspektin nën dorë nuk bëhet fjalë, se efekti Doshi ua ka verbuar mendjen. Doshi ngroh xhepin. E rrahu njëherë një gazetar Doshi në një hotel, i dola zot unë. Shkoi dhe ia mbylli gojën në mënyrën e tij.

Ndaj në studio nuk figuron. Se ai është Edi Rama. Doshi është Edi Rama, partia e të cilit u rrit me 220 përqind.

Prapë këtu, duan të bindin shqiptarët se fajin e ka Berisha, fajin e ka opozita”, tha Berisha.


Shtuar 24.05.2023 13:34