Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi kërkesat që u lexuan nga Dritan Goxhaj gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Ai deklaroi se mbështet pa asnjë hezitim dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, si edhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm dy mandate. Megjithatë, Berisha kundërshtoi idenë që një qeveri të zgjidhet me short, duke theksuar se ajo duhet të dalë nga Parlamenti.
Të lidhura
None found
“Së pari, në kërkesat e lexuara, e paraqitura nga Goxhaj, përsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë. Së dyti, shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. PD është plotësisht dakord. Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe t’i bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse kjo? Sepse u bë e qartë që Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri: ta largojë Kushtetuta. Të them edhe një gjë si kryeministër. Nëse ti punon për një program, 8 vite i ke absolutisht të mjaftueshme, jo për zbatimin 100% të tij, por për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%. Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, është që ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.”
Berisha tha gjithashtu se Partia Demokratike ka qenë më e angazhuar se çdo forcë tjetër kundër atyre ligjeve dhe ka përdorur çdo rrugë procedurale për t’i kundërshtuar, si në rastin e ligjit për zonat e mbrojtura, ashtu edhe për koncesionet dhe investimet strategjike. Ai kujtoi se, në platformën e kësaj force politike, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore.
“Para një jave kam propozuar një qeveri jopartiake, tranzitore. Jo e zgjedhur me short. Të votohet në Parlament. Një qeveri jashtë Kushtetutës nuk bëhet fjalë. Unë s’dal jashtë ligjit. Kam qenë ish-president, ish-kryeministër. Duhet të votohet nga Parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje. Unë nuk e kuptoj atë propozimin e tyre që kanë për një qeveri jashtë Kushtetutës. Unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë jopartiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, në bazë të një marrëveshjeje, që do marrë votëbesimin e plotë. Unë këtë mekanizëm di”, u shpreh Berisha.
