Në një intervistë ekskluzive për enikos.gr, kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, thotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, ‘nuk do të kenë karakterin e marrëdhënieve që kishin Rama dhe Erdogan’.
Në të njëjtën kohë, ai sulmon rolin e Ramës në marrdhëniet e acaruara mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke bërë të qartë se është kundër marrëveshjes me Italinë për migracionin.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet në 11 maj për të zgjedhur kryeministrin e ri, ku Edi Rama përballet me kritika të forta.
Sipas analistëve, këto zgjedhje janë më të diskutueshmet në historinë e re të vendit.
Kreu i opozitës së bashkuar me PD, Sali Berisha, flet ekskluzivisht për enikos.gr dhe shprehet se për marrëdhëniet me Turqinë dhe lidhjet speciale me Erdoganin, “ato nuk do të kenë karakterin e marrëdhënieve që kishin Rama dhe Erdogan”.
Ai e quan kryeministrin shqiptar narkodiktator dhe parashikon që drejtësia të merret me të sapo të zgjidhet, pa përjashtuar dënimin me burg.
Lidhur me pronat e grekëve të Himarës, si dhe të drejtat e minoritetit grek, ai bën të qartë se jo vetëm do t’i mbrojë ata, por do të sigurojë që asnjë qeveri shqiptare të mos mund t’i prekë në të ardhmen.
Ai flet për punësimin e menaxherit të fushatës së Donald Trump në ekipin e tij të fushatës, ndërsa thtë pa i ngrënë fjalët se është kundër marrëveshjes Meloni-Rama për krijimin e një kampi për emigrantët që deportohen nga Italia.
E keni quajtur Ramën narkodiktator. A keni ndërmend ta burgosni kur të vini në pushtet?
Sali Berisha: Dëmi që ka pësuar Shqipëria në vitet e narkodiktaturës është i jashtëzakonshëm. Dhe, unë nuk mund të them se përgjegjësit kryesorë, ndër të cilët është Rama, nuk do të përballen me ligjin. Nuk është ndërmendja ime kjo. Por, pasojat e narkodiktaturës qenë të këtilla, saqë shumë vështirë të mendohet se do mund t’i shpëtojnë ligjit ata që vendosën narkodiktaturën në Shqipëri.
Narkodiktatura, thotë Samuel Huntington, është më e keqe se të gjitha diktaturat tjera, se diktatura komuniste, se diktatura naziste, se diktatura teokratike dhe se grushtet-shtetet ushtarake.
Nuk besoj se, nuk mund të mendohet se nuk do të veprojë ligji për ata të cilët kanë vendosur diktaturat.
Rama mban marrëdhënie miqësore me Erdoganin. A do ta mbani këtë miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë me Turqinë?
Sali Berisha: Turqia është një aleat, një partner i Shqipërisë. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë nuk mund të jenë kurrë në dëm të një pale të tretë. Përkundrazi, Shqipëria do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e vet, me Greqinë, me vende tjera, por natyrisht marrëdhënie me Turqinë do jenë marrëdhënie normale. Nuk mund të them se do të kenë karakterin e atyre marrëdhënieve që pati Rama-Erdogan, sepse nuk jam unë për ato lloj marrëdhëniesh. Jam për marrëdhënie normal, miqësore, dhe kjo është.
Cilat janë hapat e para që do të ndërmerrni për të forcuar lidhjet midis Greqisë dhe Shqipërisë?
Sali Berisha: Mendoj se, lidhjet midis Greqisë dhe Shqipërisë në tërësi kanë zhvillimet e tyre pozitive, por problemet e krijuara këto vite janë probleme të cilat në një farë mënyre i ngadalësuan këto marrëdhënie, por edhe i dëmtuan.
Unë mendoj se, zgjidhja e Marrëveshjes së detit, rikthimi dhe vendosja e kësaj marrëveshje për zgjidhje është një nga objektivat e mia. Nuk mund të imagjinohet në një vend demokratik që t’i merret mandati cilitdo për përkatësinë e tij etnike. Çdo shtetas shqiptar, me Kushtetutë, ka të drejtë dhe do ketë të drejtë të marrë çdo funksion që i besojnë qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë. Dhe kjo, besoj se është përgjigja më e drejtë ndaj aktit antikushtetues, antidemokratik të marrjes së mandateve, siç ndodhi me rastin Beleri.
Çfarë do të bëni ju me pronat e grekëve në Himarë dhe të drejtat e minoritetit grek në përgjithësi?
Sali Berisha: Të drejtat me pronat e cilitdo qytetar të Himarës dhe të Shqipërisë, parimi së pari, qeveria nuk mund t’i prekë ato. Unë kam qeverisur 8 vite, dhe nuk ka patur asnjë ankesë për marrjen qoftë edhe 1m2 tokë. Asnjë ankesë, sepse ka qenë jashtë çdolloj imagjinate. Akti i parë që do të bëj, do të anuloj ligjin e investimeve strategjike, ligj me të cilin qeveria grabit tokat e cilitdo.
Së dyti, do të bëj gjithçka të pajisen, në njësi kohe sa më të shpejtë, me të gjithë dokumentacionin e rregullt, zotërit e vërtetë të tokave. Qofshin ata grekë, qofshin shqiptarë, rumunë, çfarëdo që të jenë. Qëllimi ndaj pronës është një dhe vetëm një: respekti i të drejtës së pronës dhe pronarit.
Edi Rama ka votuar një ligj, i cili de facto, potencialisht e bën tokën në të gjithë bregun shqiptar të konfiskueshme për motive mafioze.
Ju keni marrë Chris LaCivita menaxherin kryesor të fushatës së Donald Trump në skuadrën tuaj të fushatës. A e keni dhe mbështetjen e Presidentit Trump?
Sali Berisha: Unë nuk mund të them këtë. Kam mbështetje totale dhe të plotë të Chris LaCivita që bashkdrejtoi fushatën më të suksesshme të kohërave. Është kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, por nuk është i kontraktuar në emër të Presidentit Trump.Për shumë arsye, Partia Demokratike e Shqipërisë mbështeti Partinë Republikane Amerikane në zgjedhje, dhe në këtë aspekt ajo është një aleat shumë i çmuar i yni.
Çfarë do të bëni me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe me pakicën shqiptare në këtë vend fqinj?
Sali Berisha: Ne jemi për marrëdhënie shumë të mira me fqinjët. Probleme nuk është se nuk janë krijuar këto kohë. Mendoj se, ne nuk do të pajtohemi me një regres të të drejtave të shqiptarëve në këtë republikë. Shpresoj që, dialogu, besoj gjithmonë tek dialogu, tek fryma konstruktive. Me dialog është plotësisht e mundshme të zgjidhim çdo problem që kemi.
Sa i takon bashkëpunimit me Italinë për emigracionin dhe për problemin e emigrantëve, marrëveshjes Rama-Meloni?
Sali Berisha: Ne, kemi qenë kundër kësaj marrëveshjeje. Natyrisht, e sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese, ne do respektojmë këtë marrëveshje në afatin e vet 5-vjeçar.