Vetëm një orë para nisjes së seancës plenare të Kuvendit dhe njëkohësisht të protestës së paralajmëruar nga opozita, Sali Berisha në një deklaratë nga selia blu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në atë që ai e quajti revoltë.
Kreu i demokratëve theksoi se kjo protestë shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, i cili ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit.
Sipas tij, deputetët e opozitës trajtohen në parlament me praktika staliniste pasi u mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të formojnë komisionet hetimore.
Berisha: Kjo protestë që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit. 750 mijë zgjedhës shqiptarë me datën 25 prill votuan partitë opozitare. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve, trajtohen në parlamentin shqiptar me praktika absolutisht staliniste. Përfaqësuesit e këtyre qytetarëve që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, u mohohet e drejta e fjalësa dhe nuk lejohen të formojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor për të bërë transparencë. Super skandali Rama-McGonigal, ka tronditur opinionin publik në SHBA, në Europë dhe Shqipëri.
Ai u ndal te skandali McGonigal dhe tha se pasojat e këtij korruptimi janë të shumëfishta. Ai shtoi me dije se Kongresi i SHBA-ve po heton dhe kanë besim, por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal.
Berisha: Në këtë superskandal, dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali, Kjo dosje është historiku i kuptimit të kryezbuluesit të FBI-së, pagesës së tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Pasojat, e këtij korruptimi, janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA-ve po heton dhe ne kemi besim në hetimin e tij. Por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal. Parlamenti nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër veçse hetimin e skandalit Rama-McGonigal. Qytetarë, zëri juaj dhe prania juaj ka një rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri që sot është shndërruar në fiktivitet. Por duhet që secili të rezistojë, të bashkohen me forcat e tyre për t’i dhënë përgjigjien e merituar këtij regjimi.
Ai ironizioi edhe videon e postuar nga kryeministri Edi Rama në facebook, ditën e protestës së 11 shkurtit, duke thënë se ishte një video e regjistruar kohë më parë.
Berisha: Ata që u strukën në vrimën e miut, në datën 11 shkurt, që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut dhe tallen me qytetarët. Tallen me protestën e tyre të jashtëzakonshme, ky është morali i tyre dhe karatkeri i tyre. Sot në orën 17:00 iu ftoj të gjithëve para parlamentit të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë saj./Albeu.com/