Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në 35-vjetorin e themelimit të forcës së parë politike opozitare në vend pas rënies së diktaturës, se narkoregjimi i mazhorancës aktuale është në ditët më të vështira dhe po aq i dobët sa Partia e Punës në vitin 1990.
Ai bëri thirrje për t’i dhënë goditjen e fundit qeverisë dhe për t’u bërë partia e parë në të gjithë globin që rrëzon dy diktatura në tre dekada.
Berisha paralajmëroi edhe protesta të fuqishme kombëtare, me qëllim rrëzimin e qeverisë së narkoshtetit të parë në Evropë.
“Përballë kemi një Lubi Qeveri, që ka vjedhur miliardat e buxhetit shqiptar ndër vite. Ja ku jemi sot, u premtuam shqiptarëve se do shpëtojmë opozitën dhe e mbajtëm fjalën. Premtuan se do mbrojmë votën dhe e përmbushëm premtimin. Tani kemi misionin dhe premtimin për të shpëtuar shqiptarët dhe Shqipërinë, për fitoren e Partisë Demokratike”, tha ai.
Më tej u shpreh se opozita aktualisht kishte kushtet dhe mundësitë për ta arritur rrëzimin e qeverisë, duke kaluar në fazën tjetër, atë të protestave kombëtare.
“Kemi çdo mundësi në këto kushte për të shembur narkoshtetin që është aq i dobët sa ç’është Partia e Punës në vitet 90-të. Tani na pret përballja përfundimtare, të organizojmë protestat më të fuqishme kombëtare, të përmbysim narkoshtetin, të arrijmë te fitorja përfundimtare të merituar të demokratëve”, vijoi kreu i selisë blu.
Për Berishën, ky 35-vjetor do mbahet mend dhe mund të jetë mundësia më e mirë për një forcë politike opozitare qëndrestare, që të rrëzojë dy diktatura që nga themelimi i saj.
“Narkoshteti po shembet, goditjen përfundimtare duhet t’ia japim ne, demokratë dhe demokrate, opozitarë të këtij vendi. Këtë 35-vjetor të kurorëzojmë PD si forcën e vetme politike në planet që shembi dy diktatura. Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria demokratike”, përfundoi ai.

