Gjatë një deklarate për mediat këtë të mërkurë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi edhe protestat që po mbahen në Tiranë, duke u ndalur te pesë kërkesat e bëra publike dy ditë më parë nga Dritan Goxhaj.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, Berisha u shpreh se një nga kërkesat e para është largimi i menjëhershëm i Kryeministrit Edi Rama, që sipas tij mbështetet plotësisht nga Partia Demokratike, pa asnjë hezitim.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se PD është gjithashtu në mbështetje të plotë të propozimit që mandati i kryeministrit të kufizohet në dy mandate, duke theksuar se kjo forcë politike është e gatshme që që nesër ta votojë një nismë të tillë.
“Në kërkesat e lexuara e të paraqitura nga Goxhaj, ripërsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës. Kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë, fuqimisht dhe kemi po atë thirrje. Së dyti, kërkohet, ndër pesë kërkesat e para, është kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë.
Pse kjo? Sepse u bë e qartë se Edi Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Nuk lejon. Për këtë jo se e themi ne, tashmë e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri, ta përcaktojë kushtetuta, ta largojë kushtetuta.
Dhe të them dhe një gjë, si kryeministër, në qoftë se ti punon për një program, tetë vite i ke absolutisht të mjaftueshme. Jo për zbatimin 100% të tij nuk them, po për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%.
Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, qëndron se ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Me farsë elektorale, me farsë elektorale. Dhe unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.
Përsa i takon ligjeve të tjera, Berisha tha se qëndrimi i PD-së ka qenë i qartë dhe i njohur publikisht. Sipas tij, kjo parti ka kundërshtuar më shumë se çdo forcë tjetër ato ligje, duke ndjekur çdo rrugë të mundshme procedurale kundër tyre, përfshirë amendimin e ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, trashëgiminë kulturore, koncesionet, PPP-të dhe investimet strategjike”, u shpreh ai.
