Berisha kapet sërish me Yuri Kim: Sikur është përfaqësuese e Ramës, jo e qeverisë amerikane

Gjatë takimit të tij me demokratët në Rrëshen, Berisha ka sulmuar sërish ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Berisha është shprehur se ajo sillet  si të jetë përfaqësuese e kryeministrit Edi Rama jo e qeverisë amerikane.

“Lavdërim sikur të jenë përfaqësues të Edi Ramës dhe jo përfaqësues të qeverisë amerikane”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës në Rrëshen:

“Shqipëria është në një agresion të krimit sa kurrë ndonjë herë më parë. DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria është qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Amerikës ë Veriut e Jugut të Lindjes së Mesme dhe Evropës. DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria ka një korrupsion të papërmbajtur në të gjitha nivelet, por si ka mundësi këto deklarata nuk përkthehen në deklarata të përfaqësuesve të SHBA në Tiranë? Koha është të mendojmë se një gjë u them unë kujtdo ne na kanë studiuar shumë tipin psikologjik nga kollozët më të mëdhenj, thonë për shqiptarët inteligjent, nuk thotë asnjë prej tyre fjalë tjetër përveçse inteligjent kanë probleme të tjera pastaj që për një plesht djegin jorganin por ajo është …se Zoti nuk i çon të gjitha të mirat në një vend, i shpërndan.

Pra a janë transkriptuar, përkthyer këto konstatime serioze të qeverisë së SHBA, ndër më seriozet, në deklaratat e përfaqësuesve të kësaj qeverie këto 8 vite në Shqipëri? Kujtoni për një moment, ndaluni, Shqipëria është sot ngjitur në vendin e dytë të botës për ryshfetin. Ballkani i hapur si aleancë trilaterale është vendosja e hegjemonisë serbe në rajon, e automatikisht është influencë ruse në rajon. Europa vjen e deklaron se ky është i dëmshëm me zërin e përfaqësuesve më të lartë të saj.

DASH deklaron se është i dëmshëm kështu siç është. Para 10 ditësh. E keni dëgjuar ndonjë deklaratë të tillë ju nga përfaqësuesit? Lavdërim sikur të jenë përfaqësues të Edi Ramës dhe jo përfaqësues të qeverisë amerikane. Kjo është e vërteta.”, tha Berisha./albeu.com

 

 


Shtuar 22.01.2022 12:24